Në orët e hershme të mëngjesit në rrugën magjistrale Klinë – Gjakovë, përkatësisht në fshatin Volljakë, afër Gurit të Zi, ka ndodhur aksident në komunikacionin rrugor i cili ka rezultuar me fatalitet dhe lëndime trupore.
Në aksident janë përfshirë një veturë e tipit “Shkoda Oktavia” dhe një “Audi A8” me targa regjistrimi të Kosovës, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Automjetin e tipit “Shkoda Oktavia” e drejtonte Kaltrina Smakolli (1990), banuese në rrugën “B”, në Prishtinë, e cila ka humbur jetën në ketë aksident në vendin e ngjarjes. Në raportin e policisë, ajo cilësohet si e dyshuar për shkaktimin e aksidentit. Ndërsa veturën e tipit “Audi A8 ” e drejtonte F. Th. (1985). Ai, së bashku me pasagjeren F. Th.(1986), kanë pësuar lëndime të rënda trupore.
Sipas të dhënave hetimore, aksidenti ka ndodhur kur drejtuesja e veturës “Shkoda Oktavia”, e cila ishte duke qarkulluar në rrugën magjistrale nga drejtimi i Klinës në drejtim të Gjakovës, me te arritur fshatin Volljakë, për arsye ende të panjohura, nga korsia e djathtë e lëvizjes, kalon në të majtë dhe me pjesën ballore përplaset në veturën “Audi A8”. “Si pasojë e aksidentit, drejtuesja e veturës ‘Shkoda Oktavia’ ka mbetur e vdekur në vendin e ngjarjes. Vdekjen e saj e ka konstatuar mjeku i QMF-së n Klinë, ndërsa të lënduarit janë transferuar me autoambulancën në Spitalin rajonal të Gjakovës dhe sipas informative momentale, gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë”.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit për krime të përgjithshme, i cili ka marrë pjesë dhe udhëheqë në këqyrjen e vendit të ngjarjes së bashku me hetuesit policorë për hetimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe zjarrfikësit.
Trupi i pajetë është dërguar në Morgun e Spitalit Rajonal në Pejë. Me kërkesën e familjarëve dhe vendim të prokurorit, kufoma iu lirohet familjarëve për ceremoninë e varrimit.