Mbrëmë ka ndërruar jetë në moshën 55 vjeçare, legjenda e kërcimit me ski, finlandezi Matti Nykänen.
Nykänen u bë i famshëm si kërcyes me ski në fillim të viteve 1980, kur suksesshëm arriti majat e këtij sporti.
Nga viti 1981 deri në vitin 1991 fitoi katër medalje të arta olimpike dhe një medalje të argjendtë, nëntë medalje në Kampionatin Botëror dhe gjithsej 22 medalje në Kampionatin e Finlandës, 14 prej të cilave ishin të arta.
Në kohën kur i fitoi tri medalje të arta në Lojërat Olimpike 1988 në Calgary, Nykänen ishte bërë hero sportiv kombëtar dhe u zgjodh “Sportisti i Vitit në Finlandë” për vitet 1985 dhe 1988.
Talenti i jashtëzakonshëm bëri që imazhi i tij duke kërcyer të vendosej edhe në pullë postare pas fitoreve rekorde olimpike në Calgary, njofton Klan Kosova.
Ndonëse në karrierë ishte shumë i suksesshëm, gjatë jetës u përball me shumë sfida.
Nykänen ishte martuar pesë herë. Fytyra e tij – dhe historitë e telasheve – u shfaqën shpesh në gazeta tabloide dhe artikuj revistash.
Në fillim të viteve 1990, u bë këngëtar. Albumi i tij i parë, i publikuar në vitin 1992, u shit në më shumë se 25.000 kopje, por albumet pasuese nuk ishin aq të suksesshme.
Luftoi me alkoolizmin dhe u bë i njohur për sjelljet e dhunshme.
U dënua me 26 muaj burg pas një incidenti me thikë në 2004, kurse mori një tjetër dënim prej 16 muajsh për sulmin ndaj gruas së tij në vitin 2009.
Në verën e kaluar Matti Nykänen u diagnostikua me diabet, mirëpo në janar të 2019 i tha gazetës finlandeze Aamulehti se e kishte marrë veten përsëri nga diagnoza dhe se ishte kthyer në rrugën e duhur.