Rehabilitimi i deponisë ekzistuese në Pejë pritet të nisë në pjesën e parë të vitit 2027, pasi janë siguruar 14 milionë euro për realizimin e projektit, ku prej tyre nëntë milionë janë donacion nga Bashkimi Evropian, tre milionë nga komuna e Pejës dhe dy milionë investim i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK).
Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK), Dardan Velija, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se projekti nuk parasheh ndërtimin e një deponie të re, por rikthimin në funksion sipas standardeve të Bashkimit Evropian të deponisë aktuale, e cila prej vitesh operon jashtë kapaciteteve dhe jetëgjatësisë së planifikuar.
Velija tha se studimi i fizibilitetit ka përfunduar, janë siguruar lejet dhe licencat, ndërsa aktualisht po zhvillohet procesi i shpronësimit të parcelave.
“Nuk po flasim për deponi të re, po flasim për rehabilitim të deponisë ekzistuese, qeliza aktuale e cila operon jashtë jetëgjatësisë të planifikuar, jashtë vëllimit të planifikuar, edhe e cila ka kohë që i ka humbur licencat shtetërore, do të rehabilithet dhe do të kalojë nën menaxhimin e KMDK-së në vitin e ardhshëm. Ne deri më tani kemi kryer studimin e fizibilitetit, kemi marrë lejet, licencat si në nivelin qendror ashtu dhe lokal. Jemi në proces të shpronësimit të parcelave. Deponia ka operuar në parcela të cilat nuk kanë qenë pronë e deponisë për një kohë shumë të gjatë”, ka thënë ai.
“Është siguruar financimi për rehabilitimin e deponisë. Ky financim në këtë fazë do të kushtojë 14 milionë euro, prej të cilave 9 milionë euro janë donacion nga Bashkimi Evropian, 3 milionë euro janë donacion nga Komuna e Pejës dhe 2 milionë euro janë investim i KMDK-së nga fondet vetanake. Pra 14 milionë janë të siguruara tashmë dhe ne presim që punimet në rehabilitim do të fillojnë në pjesën e parë të vitit 2027. Jemi duke punuar që sa më parë të fillojnë, por pritjet tona janë që kjo do të ndodhë në pjesën e parë të vitit 2027”, ka shtuar Velija, për Ekonomia Online.
Ai foli edhe për planet afatgjata të menaxhimit të mbeturinave, duke theksuar se kapacitetet po planifikohen mbi bazën e sasisë aktuale të mbeturinave.
Ndërsa, shtoi se në të ardhmen pritet ulje e tyre përmes ndarjes në burim dhe ndërtimit të infrastrukturës përkatëse.
“Ne po punojmë që të ndërtojmë kapacitete me sasinë aktuale të mbeturinave që gjenerohen. Por pritjet janë që me zgjerimin e infrastrukturës për mjedisore për menaxhimin e mbeturinave ku hyjnë impiantet e ndarjes së mbeturinave, impiantet për trajtimin e mbeturinave organike, të cilat janë fraksioni më problematik i mbeturinave sanitare, sasia e mbeturinave në të ardhmen do të reduktohet. Strategjia e re e për menaxhimin e mbeturinave obligon komunat që të fillojnë ndarjen në burim, që të ndërtojnë infrastrukturën për ndarjen në burim. Kjo do ta reduktojë sasinë e mbeturinave të cilat përfundojnë në deponi, por një pjesë e mbeturinave edhe në të ardhmen fatkeqësisht do të duhet të deponohen. Kjo është edhe aspekti tjetër i ndërtimit të vetëdijes. Por kot ngritet vetëdija për derisa nuk ekziston infrastruktura për ndarjen edhe për trajtimin e mbeturinave të ndara, por ato duhet të shkojnë paralelisht. Shteteve u janë dashur disa vite edhe pas ndërtimit të infrastrukturës që të ndërtohet vetëdija, të krijohet vetëdija qytetare për ndarjen e mbeturinave. Sot nuk mund të flasim për ndarjen e mbeturinave. Sot pika më e rëndësishme është që t’i rehabilitojmë deponitë, që të jenë me standarde të Bashkimit Evropian dhe të planifikojmë me kapacitetet aktuale, me sasitë aktuale të mbeturinave që ato mbeturina të kenë ku të shkojnë. Por hapat e radhës duhet të pasojnë”, tha ai.
