Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka thënë për Telegrafin se Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme dhe sipas tij Qeveria duhet të lejohet t’i realizojë projektet deri në fund.
“Unë nuk e di se çfarë ka thënë kolegia ime, por e kam dëgjuar edhe nga disa të tjerë këtë kërkesë. Unë të them të drejtën, kjo se çfarë po thuhet është për shkak se disa kanë halle personale”, ka theksuar Veliu.
Ai ka folur edhe për projektligjin për transformimin e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar se është shumë mirë që ka një harmoni në mes klasës politike.
“Konsideroj se çdo veprim do të duhej të ishte në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe NATO-n, sepse çdo veprim i njëanshëm mund të jetë i dëmshëm dhe të humbet mbështetja e miqve tonë”, tha ai.