Veliu: Realizuam projektet e planifikuara në investimet kapitale

Podujevë | 04 Jan 2017 | 10:20 | Nga

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, në konferencën për media ka prezantuar projektet e realizuara gjatë vitit 2016 dhe sfidat për vitin 2017.

Veliu tha se Komuna e Podujevës, me buxhetin e miratuar për vitin 2016, ka realizuar projektet e planifikuara në investimet kapitale, që kanë të bëjnë me ndërtimin e infrastrukturës në interes të qytetarëve dhe përmirësimit të kushteve të jetës.

Në kuadër të investimeve për ofrim të shërbimeve më efikase administrative për qytetarët, ai tha se është ndërtuar objekti i gjendjes civile në Orllan, kurse është në fazën e fillimit të punimeve objekti i gjendjes civile në Lluzhan.

“Kemi bërë investime në ndërtimin e rrugëve, mbrojtjen e mjedisit, shërbime publike, arsim, shëndetësi dhe janë subvencionuar projekte në bujqësi, arsim dhe shëndetësi”, tha Veliu.

“Janë realizuar gjithsej 26 projekte të ndërtimit dhe asfaltimit të rrugëve në qytet dhe 20 fshatra të Komunës së Podujevës, me një gjatësi prej mbi 50 km dhe ndërtimi i një ure. Gjithashtu janë realizuar projekte në mbrojtjen e mjedisit. Ka filluar realizmi i projektit të zgjerimit dhe rregullimit të shtratit të lumit Llap në qytet në gjatësi prej 1,2 km”, tha ai.

Më tej kryetari Veliu prezantoi projektet e realizuara në sektorin e Shërbimeve Publike në investimet kapitale.

“Janë ndërtuar 39,5 km të rrjetit të kanalizimit dhe kolektorëve. Janë ndërtuar pesë ura. Janë ndërtuar 10 mijë metra katror trotuare me kubëza, ose 8.2 km gjatësi. Është bërë zgjerimi dhe pastrimi i shtretërve të lumenjve në një gjatësi prej 19, 8 km. Vendosje e ndriçimit publik në disa rrugë të qytetit”, tha ai.

“Në sektorin e Bujqësisë kemi përkrahur 45 fermerë me sistem të ujitjes pikë-pikë, 110 bletarë me nga 5 shoqëri bletësh dhe 70 fermerë me sera”, theksoi Veliu.

Duke përmendur investimet e bëra në sektorin e arsimit, ai tha se janë ndërtuar terrene sportive në tri shkolla, rrethojat e oborreve në tri shkolla si dhe janë riparuar kulmet dhe ulluqet e 11 shkollave si dhe është instaluar ngrohja qendrore në një shkollë dhe në dy të tjera janë ndërruar kaldajat. Ndërsa për 111 studentë dhe 81 nxënës janë ndarë bursa.

Kryetari Veliu përmendi edhe investimet në sektorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ku janë bërë investime në ofrimin e shërbimeve më cilësore mjekësore, por edhe në përmirësimin e gjendjes sociale.

“Kemi ndërtuar objektet e Mjekësisë Familjare në Batllavë dhe Bradash. QKMF është pajisur me mamograf si dhe janë furnizuar me pajisje mjekësore QKMF dhe ambulancat në terren në vlerë prej mbi 100 mijë euro. Është bërë renovimi i dhomës së Rentgenit në QKMF dhe renovimi i 14 objekteve shëndetësore. Ka vazhduar projekti i ndërtimit edhe të 10 shtëpive me financimin e MPMS, në Lagjen e Dëshmorëve”, tha Veliu.

Kryetari Veliu ka përmendur edhe investimet në infrastrukturën sportive. “Kemi ndërtuar qendrën rekreative-sportive në Kërpimeh dhe terrenet sportive te Salla e Sporteve ‘Hakif Zejnullahu’ në Podujevë. Ndërsa në bashkëpunim me MKRS është bërë renovimi i Stadiumit të Qytetit ‘Zahir Pajaziti’”.

Gjatë takimit me gazetarë, kryetari Veliu ka numëruar edhe projektet që janë realizuar dhe ato që janë në fazën e realizimit të cilat financohen nga Qeveria e Kosovës dhe donatorë të ndryshëm.

Në këtë aspekt përmendi projektin e përfunduar të Qendrës për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve në Sfeçël, projekt i realizuar nga Bashkimi Evropian me participim edhe të Komunës.

Fillimin e zgjerimit të rrugës magjistrale Podujevë-Prishtinë, që financohet nga Ministria e Infrastrukturës.

“Është në fazën e realizmit projekti i ndërtimit të objektit të Brigadës së Zjarrfikësve, që financohet nga MPB. Kjo ministri gjatë vitit që po lëmë pas e ka furnizuar Brigadën e zjarrfikësve me dy automjete zjarrfikësish dhe pajisje të tjera”, tha kryetari Veliu.

Në kuadër të projekteve që pritet të realizohen gjatë vitit të ardhshëm kryetari përmendi edhe ndërtimin e kolektorit kryesor për trajtimin e ujërave të zeza në vlerë prej 5.3 milionë euro që do të realizohet përmes një kredie të butë, si dhe projektin e ndërtimit të kanalizimit dhe impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Orllan.

Të rëndësisë së veçantë, kryetari Veliu e vlerësoi vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë, funksionalizimi i të cilit pritet të bëhet gjatë vitit 2017.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme