Vendet e Kuintit, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria së Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë thënë përmes një komunikate se ditëve të fundit kanë marrë një numër të konsiderueshëm të raportimeve shqetësuese lidhur me përpjekjet për të pasur ndikim përmes frikësimeve dhe kërcënimeve mbi rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë.
“Në veçanti, duket se egziston një gatishmëri për të frikësuar dhe detyruar pjesëtarët e komunitetit Serb të Kosovës që të votojnë në mënyrë të caktuar. Veprimet e tilla janë krejtësisht të papranueshme. Ftojmë të gjithë ata që janë të përfshirë në aktivitete të tilla t’i ndërpresin ato dhe i bëjmë thirrje autoriteteve dhe policisë së Kosovës që ti hetojnë këto raste në plotni”, thuhet në deklaratën e ambasadave të Kuintit.
Në komunikatë thuhet se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet ta kenë të drejtën që pa kërcënime, ndikime dhe frikë të votojnë ashtu siç ua merr mendja.
“Këto zgjedhje janë një mundësi për qytetarët e Kosovës ti zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm qytetarët e Kosovës kanë këtë fuqi dhe përgjegjësi. Si pjesë e komunitetit ndërkombëtarë, ne do të punojmë me këdo që përzgjedhni ju”, përfundon komunikata.