Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot amendamentin kushtetues nr. 26, duke e bërë kështu pjesë të aktit më të lartë juridik të vendit Konventën e Stambollit, e cila ka të bëjë me parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Seanca, të cilën e drejtoi kryeparlamentarja Osmani, filloi me deklarimet jashtë rendit të ditës, ndërsa në pyetjet e deputetëve dhanë përgjigje anëtarë të kabinetit qeveritar.
Amendamentin 26 para deputetëve e paraqiti kryetarja Vjosa Osmani, duke përmendur po ashtu raste të dhunës dhe abuzimit në familje mbi gra dhe vajza, gjatë muajve dhe viteve të fundit.
Po me tone kritike kryetarja Osmani foli edhe ndaj dënimeve të ulëta që gjykatat kanë shqiptuar ndaj autorëve të këtyre akteve.
Osmani kujtoi se karantinimi dhe mbyllja në shtëpi gjatë muajve të fundit, kanë ndikuar në frenimin e përhapjes së pandemisë, por në anën tjetër, sipas saj, e kanë përkeqësuar situatën në të cilën gjinden gratë të cilat janë viktima të abuzimit në familje.
“Kësisoj, shtëpia u shndërrua në epidemi vdekjeprurëse për shumë gra e vajza”, theksoi Osmani.
Kryetarja e Kuvendit tha se Konventa e Stambollit, e cila është pjesë e këtij amendamenti, parasheh metoda për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në një kontekst të rritjes së barazisë de jure dhe de fakto.
Duke bërë thirrje për votimin e amendamentit, Osmani tha se vota për të është vetëm një kërkim falje “që nuk arritëm të bëjmë asgjë që t’i mbrojmë gratë, përpara se të vriten”.
Raportin me rekomandime të Komisionit funksional për Legjislacion për miratimin e këtij amendamenti, e paraqiti kryetari Shkëmb Manaj, ndërsa më pas qëndrimet e tyre i paraqitën edhe grupet parlamentare.
Kështu, Saranda Bogujevci (VV), Besa Ismaili – Ahmeti (PDK), Teuta Haxhiu (AAK) dhe Duda Balje (6+), i dhanë mbështetje të parazervë amendamentit, duke e konsideruar atë të një rëndësie të veçantë.
Po në këtë frymë diskutuan edhe deputetë të tjerë, të cilët arsyetuan nevojën e miratimit të amendamentit të propozuar.
Pas shterjes së diskutimeve, amendamenti mori mbështetjen me votë të 93 deputetëve, përfshirë këtu 17 nga komunitetet pakicë, duke hyrë kështu me automatizëm në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Seanca vijoi me procedurën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, ndërsa paraprakisht raportin me rekomandime të Komisionit për të Drejtat e Njeriut e paraqiti kryetarja Duda Balje.
Asnjëri nga tre kandidatët, Edona Hajrullahu, Naim Çelaj dhe Xhavit Shala, nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme prej 61 syresh në raundin e parë, andaj u procedua për votim në raund të dytë, për dy kandidatët që morën më së shumti vota, Naim Çelaj dhe Xhavit Shala.
As raundi i dytë nuk rezultoi me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ngase kandidatët morën vetëm 32 vota (Naim Çelaj), përkatësisht 22 vota (Xhavit Shala).
Në mungesë të kuorumit, raundi i tretë i votimit do të zhvillohet të hënën, në orën 12:00, me kandidatin e vetëm, Naim Çelajn.