Vendimi i Gjykatës së Apelit për Enver Hasanin (Dokument)

Prishtinë | 10 Jan 2017 | 11:52 | Nga

Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti për Krime të Rënda, në çështjen penale kundër të pandehurit Enver Hasani për shkak të veprës penale “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”, ka marrë vendimin që të ndryshojë aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të të pandehurit Enver Hasani, ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.14/16 datë 4.11.2016, ashtu që aktakuza e Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës PPS.nr.12/2015 datë 13.01.2016 e ngritur kundër tzë pandehurit Enver Hasani për veprat penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 pa 1 të KPRK-së dhe falsifikim i dokumentit zyrtar, parashikuar me nenin 434 par 1 të KPRK konform dispozitës së nenit 250 par.1 nënpar.1.1 të KPP hudhet dhe ndaj të pandehurit pushohet procedura penale në këtë çështje për shkak se veprimet e tij nuk përbëjnë vepër penale”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, vendim të cilin e ka siguruar gazeta “Koha Ditore”.

“Kjo gjykatë vlerëson se në veprimet e tilla inkriminuese të përshkruara si më parë nuk përmbushet asnjë nga elementet e lartpërmendura të veprës penale për të cilën i pandehuri është akuzuar. Në të vërtetë, nga përshkrimi i veprimeve dhe nga provat në bazë të të cilave është ngritur akuzë del se vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese e ka bërë me dekret presidentja e Shtetit. Mirëpo, meqë Avokati i Popullit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin e dekretit të Presidentes, ajo Gjykat, duke vendosur përkitazi me kërkesën e Avokatit të Popullit me aktvendimin nr.KO155/2014 datë 13 nëntor 2014 ka vlerësuar se kërkesa e avokatit është e papranueshme. Pra, në rastin konkret kemi të bëjmë me një vendim gjykate që bie në kuadër të fushëveprimtarisë së Kryetarit të Gjykatës dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, prandaj marrja e një vendimi të tillë nuk përbën vepër penale”, theksohet në vendim.

“Pra, veprimet për të cilat është akuzuar i pandehuri Enver Hasani nuk përbëjnë vepra penale për shkak të mosekzistimit të elementeve të veçanta të veprave penale”, potencohet në vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Enver Hasani akuzohej për shpërdorim detyre në kohën sa ishte Rektor në Universitetin e Prishtinës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme