Vendimi i ri i Qeverisë: Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore, rihapen kinematë

Prishtinë | 25 Sht 2020 | 21:50 | Nga Ekonomia Online

Një lajm i mirë ka ardhur në orët e mbrëmjes të së premtes për dashamirësit e artit dhe punëtorët e sferës kulturore.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin e ri për lehtësimin e masave, e që ndër të tjerash përfshihen edhe lejimi i pjesërishëm i disa prej aktiviteteve kulturore.

Teatrot, bibliotekat, Salla e Filharmonisë, Galeritë, Qendrat Rinore e Muzetë nga sot e tutje do të jenë të hapura dhe të lejuara me shfrytëzim të kufizuar të hapësirës së tyre deri në 40 për qind.

Ka qenë Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ajo e cila në një status të publikuar në rrjetin social Facebook, ka konfirmuar për këto lehtësime të masave anti-covid.

Një lajm i mirë vjen edhe për adhuruesit e filmave, pasi pas disa muajsh më në fund është dhënë drita e gjelbër edhe për kinematë, të cilat do të rihapen, krahas kushteve të përcaktuara nga vendimi i Qeverisë.

“Lajm shumë i rëndësishëm për artistët dhe sportistët tanë, Qeveria jonë ndër të tjera sapo morëm këtë vendim:Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS-së dhe komunave; Teatrove, Bibliotekave, Filarmonisë, Galerive, Ansambleve, Baleti, Kinemave, Qendrave Rinore, Muzetë, Qendrave të Kulturës, me grupe, duke shfrytëzuar 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Përqindja e shfrytëzimit të hapësirave do të vlen për të gjitha aktivitetet si në shfaqje ashtu edhe në ushtrimë gjithmonë duke u bazuar në Manualin për mbrojtjen nga përhapja COVIV19; Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte;
– Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura gjatë stërvitjeve mund të marrin pjesë deri në 30 persona ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona gjithmonë duke u bazuar në Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive dhe në hapësirat e hapura sportive;
– Lejohen fitneset si dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte”, ka shkruar Dumoshi në njoftimin e saj.

Të ngjashme