Vendimi për ndryshimin e lokacionit të spitalit në Ferizaj – i paligjshëm

Ferizaj | 23 Maj 2018 | 17:22 | Nga

Komunës së Ferizajt i ka ardhur përgjigjja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për legjitimitetin e vendimit për ndërrimin e parcelës së spitalit, i erdhi zyrtarisht edhe . Megjithëse kjo përgjigje kishte ardhur dje në orët e pasdites, njoftimin për publikun e bëri opozita. Në një konferencë me gazetarë dega e LDK-së në Ferizaj, tregoi se përgjigjen e nivelit qendror që vendimi për ndërrimin e parcelës së spitalit është në kundërshtim me dispozitat ligjore, tashmë e kanë në dorë kryetari i komunës dhe kryesuesja e Kuvendit të Ferizajt.

“Tanimë edhe kryetari Aliu e ka një kopje të refuzimit të vendimeve të paligjshme të seancës së parafundit të Kuvendit të Ferizajt dhe ne përmes kësaj konference dëshirojmë t’i njoftojmë të gjithë qytetarët e këtushëm që puna e ndërtimit të spitalit po e merr orientimin e duhur dhe sigurisht që do të ndërtohet aty ku parashihet edhe me planin zhvillimor komunal, atje afër parkut ‘Liria’’. Ne po i bëjmë ftesë pushtetit lokal, përkatësisht kryetarit Aliu, që mos të bëj veprime dhe propozime të pamatura për t’i dërguar tek Kuvendi dhe të bëj presion tek anëtarët e partisë së tij, pasi që tashmë disa herë po dëshmohet se ministritë përkatëse po i kthejnë vendimet e pabazuara me ligj”, tha Gëzim Kokollari nga LDK-ja.

Përgjigjen e kthyer nga ministria e konfirmoi edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal, Kristina Gashi-Bytyqi, raporton Tv Tema. Ajo tha se pavarësisht përgjigjes pozitive apo negative, ministritë përkatëse janë vonuar në kthimin e përgjigjes, prandaj Kuvendi nuk e ka në plan ta marrë fare parasysh këtë shkresë të nivelit qendror.

“Ne konsiderojmë se përderisa e kemi edhe rregulloren e Qeverisë së Kosovës e cila thotë se nëse ministria nuk kthen përgjigje brenda 15 ditësh, atëherë konsiderohet ai akt është i plotfuqishëm, prandaj ne si komunë do të bëjmë edhe ankesë në departamentin ligjor për shqyrtim të këtij vendimi që është kthyer me vonesë, do të thotë do ta çojmë në kontest administrativ dhe të shohim se si do të veprohet më tutje. Por, megjithatë nuk jemi të obliguar duke u bazuar në rregulloren që e ceka edhe më herët”, tha Gashi- Bytyqi.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal Kristina Gashi Bytyqi, e konsideron padrejtësi që shkresat e ministrisë po bien në dorë të asamblistëve opozitar para se të vijnë zyrtarisht tek komuna dhe Kuvendi. Ndërkaq, kur gazetarët ia rikujtuan se kështu ndodhte edhe kur ajo ishte në opozitë, Gashi-Bytyqi tha se atëherë ishte më ndryshe.

“Unë konsideroj se nuk është e drejtë që një anëtar i Kuvendit ta ketë një shkresë nga ministritë përkatëse para se ato të vijnë në adresë të Kuvendit, por edhe tek kryetari. Unë nuk po e kuptoj ndërhyrjen e disa anëtarëve në ministritë përkatëse. Gjatë mandatit të kaluar ishte pak më ndryshe, është e vërtet që ne i kemi marrë shkresat nga ministria, por pasi që ato kishin ardhur në adresë të Kuvendit dhe kryetarit, ndërkaq ata neve nuk na ofronin ato shkresa duke e mohuar që nuk i kanë “, tha kryesuesja Gashi-Bytyqi.

Derisa pushteti paralajmëron se do të ankohet në instancat më të larta për vendimet e kthyera nga Qeveria e Kosovës, dega e LDK-së në Ferizaj thotë se vendimi i radhës i Kuvendit që nuk do të gjej mbështetje ligjore nga MAPL-ja, është ai për ndërrimin e lokacionit të varrezave të qytetit.  

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme