Vendoset tabela me emrin e rrugës “Arbënor e Astrit Dehari”

Prishtinë | 05 Nën 2018 | 12:35 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në dyvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit është vendosur tabela me emrin e ri të rrugës nga rrethi i spitalit në drejtim të “Rrugës B”.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi është shprehur se tash e 24 muaj shteti po hesht në lidhje me vdekjen e Astritit.

“Sot, më 5 nëntor, shënohet 2 vjetori i vrasjes së Astrit Deharit. Pra, shënohen gjithashtu 24 muaj heshtje institucionale, shënohen 730 ditë padrejtësi. Edhe at’herë kur flisnin këto institucione, gënjenin publikisht e i ndryshonin deklaratat. Fillimisht na thanë se Astriti u vetëvra me një dozë medikamentesh, pastaj u tha se mbase i preu venat, e në fund u tha se vdiq me një shishe plastike”.

“Përfundimisht doli se Astriti vdiq dhunshëm, nga asfiksia, pra nga bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes. Më shumë se 16 vite pas luftës, ndodhen përsëri ngjarje që na shoqëronin edhe gjatë okupimit. Dikur vriteshin ushtarë shqiptarë gjatë shërbimit obligativ ushtarak, vriteshin të burgosur politik, por të gjitha këtyre vrasjeve u mvishej vetëvrasja siç ndodhi edhe në këtë rast që pushteti e inskenoi kriminalisht. Për t’i humbur edhe më shumë provat dhe dëshmitarët e rastit, pak jave më vonë personi i parë që e pa Astritin të përgjakur e të shtrirë, u transferua nga burgu i Prizrenit në burgun e Lipjanit, e nga aty u njoftuam edhe për një vdekje në burg”.

“Tash radhën e kishte dëshmitari kryesor i kësaj ngjarje. E kjo është edhe një dëshmi e qartë se Astriti u arrestua padrejtësisht dhe u vra mizorisht. Astritin e vranë por ai s’ka vdekur! Sepse të tillët e të rrallët si ai, jetojnë përgjithmonë. Astriti nuk pranoi të nënshtrohej, ai gjithë qenien e tij ia përkushtoi këtij vendi. Astriti ishte atdhedashës, Astriti angazhohej për barazi, kujdesej për ata që s’kanë, e nuk e kursente veten”.

“Punonte heshturazi e me pak fjalë. Astriti ishte student shembullor i mjekësisë e aktivist i pazëvendësueshëm. Ai është i papërshkrueshëm. Njësoj siç ishte dhe është Arbënori, që na mësonte si vëlla e si shok. Ata ecën në rrugën e heronjve tanë, në rrugën e rilindasve tanë. Ata ecën në rrugën që na sjellë dashuri e guxim, në rrugën që sjellë dije e shpresë. Astriti na e tregoi rrugën të gjithë neve edhe me rënien e tij. Ndërsa ne sot simbolikisht po e emërtojmë këtë rrugë në emrin e tyre. Lavdi të gjithë heronjve të Kombit. Lavdi Arbënor e Astrit Deharit!”.

Azemi ka shtuar se simbolikisht në dy vjetorin e vrasjes së Astritit, siç e quajti ai, po emërtohet një rrugë me emrat e tyre.

Paraprakisht aktivistë të VV-së kanë bërë homazhe te varri i Astritit si dhe kanë vizituar familjen e tij, ndërsa pasdite do të mbahet një tribunë dhe do të organizohet një aksion për dhurimin e gjakut.

Astrit Dehari ka vdekur para dy vitesh në burgun e Prizrenit në rrethana ende të pandriçuara ndërsa i vëllai i tij Arbnor Dehari ka vdekur më 11 qershor të vitit 2014.

Për familjen dhe aktivistët e VV-së të dyja këto vdekje janë të dyshimta, ndërsa për Astritin konsiderojnë se dikush e ka vrarë në burg.

 

 

 

Të ngjashme