Certifikimi i kandidatëve të Listës Serbe për kryetar të komunave veriore pritet të hasë në vështirësi. Aprovimi i kandidaturave të tyre në Komisionin Qendror Zgjedhor nuk mund të bëhet edhe pa votën e njërit prej dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje – Adnan Rrustemit dhe Nazlie Balës.
Kjo pasi ligji kërkon që certifikimi i kandidatëve të bëhet vetëm me dy të tretat e anëtarëve. LVV-ja, që në vazhdimësi ka akuzuar këtë subjekt se punon me direktiva të Beogradit, ka paralajmëruar se çështja mund të shkojë për shqyrtim deri në Gjykatën Kushtetuese, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas Rrustemit, shqyrtimi i aplikacionit të Listës Serbe nuk duhet të kufizohet vetëm tek aspekti teknik, por mbi të gjitha tek ligjshmëria dhe kushtetutshmëria.
“KQZ-ja nuk duhet të bëhet pjesë e një farse më të gjerë, por duhet të sigurohet që po organizon zgjedhje dhe se po mundëson qeverisje lokale për qytetarët. Në lidhje me këtë, Listës Serbe duhet t’i kërkohen dokumente shtesë dhe të veçanta, ngase situata është e veçantë, përmes të cilave Lista Serbe distancohet nga qëndrimet e Aleksandër Vuçiqit, e njohin rendin juridik të Republikës”, ka thënë Rrustemi.