Kombëtarja shqiptare ndodhet në Frankfurt të Gjermanisë, ku do të vijojë punën për sfidat kualifikuese të “Euro 2020” me Islandën dhe Moldavinë. Tashmë në drejtimin e trajnerit të ri Edy Reja, për futbollistët kuqezi ka rëndësi që të jenë sa më të përqëndruar, për të qenë gati për këto dy ndeshje.
Frederik Veseli beson se Shqipëria mund të ringrihet me trajnerin Edy Reja, pse jo të marrë 6 pikë në dy takimet e radhës për “Euro 2020”.
Ndryshimi i trajnerit: Panucci dhe Reja janë trajnerë të ndryshëm, secili ka stilin e vet. Edhe në klubin tim kam parë trajnerë të ndryshëm. Nëse nuk do të ishin të ndryshim atëherë s’do të kishte arsye për ta ndërruar trajnerin. Është shumë herët për të vlerësuar punën e trajnerit (Rejas) dhe nuk është qëllimi dhe dëshira ime të jap vlerësime për ta. Unë jam futbollist dhe bëj punën time si çdo pjesëtar i Kombëtares. Kryesorja është të arrijmë rezultatet e kërkuara dhe të fitojmë sa më shumë pikë.
Pikët maksimale: Më 6 pikë në dy ndeshje do të ishim të kënaqur, kjo është e sigurt, por në futboll është e vështirë të fitosh në çdo ndeshje. Qëllimi ynë është të jemi të përqendruar në ndeshjen e parë, të bëjmë një paraqitje pozitive në ndeshjen e parë të trajnerit të ri, më pas të shohim. Sigurisht qëllimi është që të fitojmë.
Islanda, jo e tre viteve më parë: Çdo skuadër kur e arrin kulmin, pëson një rënie, kjo është normale. Në këto momente Islanda nuk është ai ekip që ka qenë para pak vitesh. Shpresojmë ta shfrytëzojmë këtë rast për t’u rritur, pse jo të dalim me fitore.
E ardhmja tek Empoli? Kam edhe dy vite kontratë, jam lojtar i Empolit, por nëse do të vinte një mundësi e mirë për mua dhe klubin, do të lëvizja. Jam i sigurt se do të kisha mundësi të luaja në kampionat më të madh. Do të shohim bashkë me klubin, por siç e thashë kam edhe dy vite kontratë.