Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka diskutuar me ekspertë të ekonomisë nga rajoni i Prizrenit për idetë dhe propozimet që qojnë drejt zhvillimit më të madh ekonomik dhe punësimin e qytetarëve.
Ekspertët e ekonomisë nga Prizreni propozuan që të parashihet në të ardhmen e afërt mundësia e pushimit të taksave për një periudhë të caktuar kohore për kompanitë e reja që punësojnë mbi 10 punëtorë.
Afrim Tejeci nga Oda Ekonomike e regjionit të Prizrenit propozoi funksionalizim të zonave industriale, pa të cilat sipas tij, nuk ka zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Ai tha se zonat industriale do të ofronin mundësi të mira për vendosjen e investitorëve të huaj, me theks të veçantë nga diaspora shqiptare.
Ndërsa, ekonomisti Shkelzen Mustafa, propozoi që Ministria e Arsimit të rishikojë platformën e edukimit pasi siç tha ai, Kosovës po i mungojnë punëtorët e profesionistë për punë praktike.
“Problemet në të bërit biznes në Kosovë janë shumë të mëdha dhe janë evidente, por të vetmin potencial që ne e kemi është fuqia punëtore. Destinimi i fuqisë punëtore dhe kanalizimi i tyre në arsimim është shumë domethënës. Propozim i imi kishte me qenë që Ministria e Arsimit të merret me këtë çështje sepse kemi kriju shumë ekonomistë, shumë juristë, kurse kemi ngelur pa punëtorë profesional. Pra të ndërrojë mënyra e edukimit në Kosovë”, tha Mustafa.
Kryetari Veseli pas bashkëbisedimit dhe dëgjimit të ideve nga ekspertët e ekonomisë në Prizren, tha se për dy ditë të bashkëbisedimit me ekspertë ka evidentuar mbi 20 pika të ndryshme përmes të cilave do të ndikohet në përmirësimin e kushteve ekonomike që mundësojnë punësim më të madh të qytetarëve.
“Këto janë probleme reale të vendit tonë të cilat duhet të zgjidhen me një politikë e cila mendon për qytetarin dhe e cila mendon për vendin. Dhe nuk ka asgjë më nder për asnjë lider sesa me ju dalë përballë këtyre shqetësimeve që i kanë njerëzit, të cilët e bartin barrën e zhvillimit, siç jeni ju”, tha kryetari Veseli.
Bashkëbisedimi i kryetarit të PDK-së Kadri Veseli me ekspertë të fushave të ndryshme do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.