Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, në konferencën për medie ku paraqiti iniciativën e ardhshme të PDK-së për Komisionin hetimor për listat e veteranëve tha se do të jetë i pakompromis ndaj secilit njeri që e dëmton Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se këtë do ta bëj duke nisur edhe nga vetë partia e tij, familja e të gjithë.
“Raporti i komisionit do të jetë publik edhe për institucionet e drejtësisë për të ndjekur mashtruesit. Do jem i pakompromis ndaj secilit njeri që e dëmton vendin nga secili mashtrues korruptues duke nisur nga partia ime, këtë iniciativë e marrim në thellimin e masave që kanë të bëjnë në ruajtjen e vlerave të UÇK që lidhet me veteranëve e luftëtarëve që familjet e tyre mbajnë barrën më të madhe”, tha Veseli.
“Si një themelues i UÇK-së nuk do rri indiferent karshi mashtrimeve që ndodhin për UCK përmes grupit parlamentar të PDK-së do inicioj krijimin e një komisioni hetimor parlamentar që do hetoj mashtrimet e listave veteraneve”, tha ai.
Veseli tha se nga komisioni do të kërkohet hetimi për listat e veteranëve duke filluar nga dorëzimi i listave, të dhënat e pranimit dhe dorëzimit, kriteret që janë përdor, ballafaqimi me faktet etj.
“Me këtë iniciativë do ruhet nderi dhe reputacioni i ushtarëve të UÇK-së, ky komision do siguroj që buxheti i Kosovës nuk do dëmtohet me dhjetëra e miliona euro, këto janë para të qytetarëve që nuk duhet shpenzohen për mashtrues”, tha ai.
Veseli shtoi se kjo iniciativë është që lista e veteranëve të jetë e pastruar nga mashtruesit.