Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, bashkë me kandidatin e PDK-së për Kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, kanë prezantuar projekte të shumta infrastrukturore për Prizrenin.
Veseli ka thënë se zhvillimi i Komunës së Prizrenit do të marrë hov të shpejtë, sepse rreth 80 për qind e programit të Shaqir Totajt ndërlidhet me ndërmarrësinë.
“Prizreni si qytet historik ka mundësi të jashtëzakonshme që të zhvillojë turizmin urban. Teleferiku tani është në fazën përfundimtare. Por, Prizreni ka mundësi të shumta që ta zhvillojë edhe turizmin alpin, ku mund të tërheq edhe turistë të huaj”, ka thënë Veseli.
Lideri i PDK-së ka thënë se afër 3 milionë euro prej buxhetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë planifikuar të investohet në Prizren, ku zona historike do të rinovohet në tërësi.
Kurse, kandidati i PDK-së për Kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka prezantuar edhe konkretisht disa prej zotimeve të tij gjatë fushatës, veçmas çështjen e zgjidhjes së parkingjeve, trafikun urban dhe krijimin e hapësirave të gjelbra.
Totaj ka përmendur tri lokacione në pjesë të ndryshme të Prizrenit ku synohet të ndërtohen parkingjet e reja si mundësi për ta liruar nga veturat dhe trafiku Qendrën Historike të qytetit.
Ai ka thënë se parkingjet do të ndërtohen në zonën e Bazhdarhanes në hyrje nga Theranda, tek Stacioni i Autobusëve në hyrje nga Gjakova dhe në lagjen “Bajram Curri” në hyrje nga Shqipëria.
Kandidati i PDK-së për Kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka prezantuar edhe ndërtimin e një gjysmë tuneli në rrugën për në Reçan, ku gjatë dimrit rrezikohen njerëzit nga rënia e gurëve.
Ai ka prezantuar edhe lokacionet e parqeve të reja në qytet dhe hapësirat e reja për biçikleta.