Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK, Kadri Veseli, ka lavdëruar ish-kreun e partisë, Hashim Thaçi, se e mbante fjalën dhe i ka përmbushur të gjitha premtimet elektorale, duke i shumëfishuar pagat e ndërtuar rrugë.
“Për shtatë vite të qeverisjes së PDK-së, kur ishte kryeministër Hashim Thaçi, janë mundu me kritiku që s’e mban fjalën. Ai e ka mbajtë fjalën edhe me autostrada, edhe me rrugë, e ndryshim të infrastrukturës. Në të njëjtën kohë ka mësues, policë, punonjës shëndetësorë, të cilëve u janë shumëfishuar pagat”, ka thënë Veseli, gjatë një tubimi elektoral në Gjonaj të Prizrenit, raporton Ekonomia Online.
“E për 3 vjet me një qeverisje të lodhtë që e kemi pasë, s’kanë mujt me i rritë pagat”, ka thumbuar Veseli, ish-partnerin në Qeveri.
E në vazhdim kreu i PDK-së ka premtuar se pagat në sektorin publik do të vazhdojnë të rriten.
“Po jua jap fjalën se për 4 vjet do të rriten pagat e sektorit publik, punonjësve shëndetësorë, Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë; në të njëjtën kohë do të rriten dhe pensionet. Duhet t’i fuqizojmë këto kategori për arsye se kemi nevojë për një mirëqenie sociale më të mirë në Kosovë”.
E rritje, kryetari i Kuvendit ka paralajmëruar edhe për kategoritë sociale.
“Janë 26-27 mijë familje që kanë ndihma sociale aktualisht. Që nga janari i vitit 2018 do t’ju rriten ndihmat sociale për 20 për qind”.
Por, ai ka thënë se shumica e familjeve që ende kanë probleme sociale nuk do ta kenë askënd të papunë, duke filluar nga janari 2018.