Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, para simpatizantëve të shumtë në Sallën e Sporteve në Lipjan, ka thënë se Forca e Ndryshimit me kryetar Ismet Hajrullahun, do t’i nxjerrë qytetarët e kësaj komune nga gjendja ku e ka katandisur qeverisja e deritashme.
“Lipjani nuk e meriton stagnimin. Lipjani ka nevojë për ndryshim, ka nevojë për zhvillim, ka nevojë për dijen, guximin dhe lidershipin e Ismet Hajrullahut. Lipjani ka mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik”, ka thënë Veseli.
Kreu i PDK-së ka thënë se Forca e Ndryshimit do t’i japë fund stagnimit ekonomik, dukurive negative dhe burokracisë, që e kanë ngufatur biznesin dhe ndërmarrësinë në Lipjan.
“Ne do t’ia kthejmë Komunën e Lipjanit qytetarëve të tij”, ka thënë ai.
Ndërsa, kandidati i PDK-së për Kryetar të Lipjanit, Ismet Hajrullahu, ka thënë se Komuna e Lipjanit do të jetë në shërbim të qytetarit e jo të klaneve dhe pushtetit shantazhues të Lipjanit.
Ai ka thënë se platforma e tij është kontratë me qytetarin.
“Vetëm një çerdhe publike është në Lipjan. Ne do të ndërtojmë çerdhe në çdo fshat të madh të Lipjanit”, ka premtuar Hajrullahu.
Kandidati i PDK-së për Kryetar të Lipjanit ka premtuar edhe përmirësimin e shëndetësisë së Lipjanit dhe një shtëpi të veçantë për të moshuarit.
Ai ka thënë se sektori privat, fermerët dhe ndërmarrësit, në qeverisjen e PDK-së nuk do të kenë frikë t’i drejtohen komunës për mbështetje, sepse qeverisja e tij nuk do t’i shantazhojë ata, por do të jetë derë e parë për zgjidhjen e problemeve të tyre.