Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim kongresmenin amerikan, mikun e madh të Kosovës, Eliot Engel.
Kryeparlamentari Veseli e falënderoi kongresmenin Engel për kontributin e tij të madh për sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer ndaj kauzës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, duke u bërë kështu zëri i saj në politikën amerikane dhe më gjerë.
Veseli konsideroi se Engel do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen avokues dhe përkrahës i madh i Kosovës, tashmë në kauza dhe sfida të reja, siç është ajo e integrimit euro-atlantik dhe e zhvillimit të gjithmbarshëm të saj.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi se bashkëpunimi i shkëlqyer midis Kosovës dhe SHBA-së tashmë është kthyer dhe kultivuar në një miqësi midis dy popujve, të cilën ai e konsideroi vlerë të çmuar për vendin tonë.
Anëtari i Kongresit Amerikan, Eliot Engel, shprehu kënaqësinë për arritjen e Kosovës në shumë fusha, ndërsa konfirmoi se do të vazhdojë të mbetet një mik dhe mbështetës i saj.
Gjatë këtij bashkëbisedimi të ngrohtë e miqësor, Engel u interesua për një varg zhvillimesh në Kosovë, ndërsa kryetari Veseli theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të çuar përpara agjendat shtetërore, në funksion të zhvillimit të vendit dhe në interes të qytetarëve.
Veseli takoi kongresmenin Engel
Kryeparlamentari Kadri Veseli ka pritur në takim Kongresmenin amerikan, Eliot Engel. Engel sot është takuar edhe me zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, i cili ka dalë ta pres në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës, “Adem Jashari”.
Engel gjatë ditës së nesërme pritet të vizitoj edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, do të mbajë edhe një konferencë për media. Vizitë do të bëjë edhe në qendrën e thirrjeve të koalicionit të organizatave jo qeveritare Demokracia në Veprim.
Po ashtu të hënën, në takim do të pres edhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, me këtë rast do të mbahet edhe mbledhja ceremoniale e Qeverisë së Kosovës.