Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga kandidatja për kryetare të kësaj komune, Valdete Idrizi, kanë zhvilluar disa takime nëpër lagje të Mitrovicës ku kanë takuar qindra qytetarë për t’ua shpalosurprogramin qeverisës për katër vitet e ardhshme në Mitrovicë.
Në takim me përfaqësuesit e Organizatave të Luftës së UÇK-së, Veseli e Idrizi kanë folur për kujdesin institucional dhe përkrahjen përmes programeve të ndryshme për familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së.
Veseli dhe kandidatja për kryetare të Mitrovicës Valdete Idrizi kanë vazhduar fushatën dorë më dorë me qytetarët ndërsa kanë vizituar edhe familjet mitrovicase që jetojnë në qendër të qytetit.
“Komuna e Mitrovicës ka më së shumti nevojë për Forcën e Ndryshimit, për investime kapitale dhe projekte, të cilat mund ti realizoj vetëm qeverisja e PDK-së dhe kryetarja Valdete Idrizi e cila do të jetë shembull i sukseseve dhe trasnformimit të Komunës së Mitrovicës. Çdo projekt dhe iniciativë e kryetares Valdete Idrizi dhe Komunës së Mitrovicës do të gjejë përkrahjen e plotë”, tha Veseli.
Ndërsa kandidatja për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, gjatë diskutimeve me qytetarët, I siguroi ata se do të punojë pandërprerë për të sjell në Mitrovicë projekte kapitale që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe perspektivë për punësimin e të rinjve.
“Partia Demokratike është Forca që mund të ndryshojë Mitrovicën duke na ndihmuar si komunë që të realizojmë projekte zhvillimore për qytetarët tanë. I ftoj të gjithë qytetarët që mos të mashtrohen me premtime boshe të atyre që nuk kanë as ide, as vision, e as mbështetje për të realizuar projekte në komunën tonë. Më 22 tetor pres që Mitrovica të bëjë ndryshimin e nevojshëm dhe PDK të dalë fituese bindëse e zgjedhjeve, në mënyrë që të nisim menjëherë me realizimin e programit tonë qeverisës”, tha Idrizi.
Gjatë vizitave nëpër familje të qytetit të Mitrovicës, kandidatja për kryetare të komunës, ka marrë mbështetje të plotë se do të votohet nga të gjitha gjeneratat më 22 tetor.