Veseli: Mitrovicën do ta bëjmë një qytet industrial

Mitrovicë | 30 Maj 2017 | 19:03 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një takim me të rinjtë e Mitrovicës, ka konfirmuar edhe njëherë përkushtimin e tij dhe të partisë që drejton, për t’i kthyer këtij qyteti lavdinë e dikurshme.

Para mijëra të rinjve mitrovicas, në sheshin “Mehë Uka”, kreu i PDK-së tha se Mitrovica, si e gjithë Kosova, ka nevojë për zhvillim ekonomik, për fabrika, për një “Trepçë” të fuqishme dhe para së gjithash, për vende të reja pune.

Mitrovica, shtoi Veseli, ka nevojë për Partinë Demokratike të Kosovës dhe për një Fillim të Ri.

Ai tha se ky fillim i ri nënkupton një transformim të fuqishëm ekonomik të Kosovës, një fuqizim të ndërmarrësve, të cilët, siç tha Veseli, me nisjen e “Fillimit të Ri”, do të jenë të parët që do të mbështeten.

Kryetari i PDK-së tha se rreth 60 mijë bizneset sa ka Kosova aktualisht, po të mbështeten, do ta rrisin veprimtarinë e tyre biznesore e prodhuese, e rrjedhimisht edhe numrin e të punësuarve.

“Të gjitha këto biznese, po ta rrisin numrin me vetëm një të punësuar, do të thotë 60 mijë vende të reja pune në Republikën e Kosovës”, theksoi Veseli.

Në vazhdim, Veseli foli edhe për kthimin e qytetarëve në pjesën veriore të Kosovës, duke shtuar se nuk do të ketë fuqi që do t’i ndalë ata të jetojnë në pronat e tyre.

Duke folur për “Trepçën”, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se që nga dita e parë në krye të Kuvendit të Kosovës, është angazhuar maksimalisht për rregullimin ligjor të statusit të kësaj ndërmarrjeje, e cila gjendej para falimentimit.

“Minatorët nuk kanë nevojë për lëmoshë, por ne kemi nevojë për minatorët. ’Trepça’ do të ketë perspektivë, sikurse shumë miniera të tjera të cilat do të hapen anekënd Kosovës”, theksoi Veseli.

Në vazhdim të fjalës së tij, Veseli paralajmëroi investime të reja në qytetin e Mitrovicës, duke ia kthyer atij formatin e qytetit industrial.

“’Fillimi i Ri’ do ta transformojë Mitrovicën nga një qytet të mbyllur, në një qytet industrial, nga i cili nuk do të ikin qytetarët e saj, por do të kthehen edhe ata që kanë ikur”, paralajmëroi kreu i Partisë Demokratike të Kosovës.

Duke folur për rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve të 11 qershorit, Veseli tha se Kosovën nuk mund ta udhëheq një lidership të cilin e gjen në gjumë treni i nisur nga Beogradi, apo koncepti tjetër, i cili, sipas tij, para vetes sheh vetëm terr dhe zi.

Prandaj, ai kërkoi nga qytetarët e Mitrovicës që t’i japin fuqi “Fillimit të Ri”, nëpërmjet votës për bijtë dhe bijat e tyre, të radhitur në listën kandiduese të Partisë Demokratike të Kosovës.

Të ngjashme