Veseli në ditën e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve premton ligje për mbrojtjen e tyre

Prishtinë | 20 Nën 2017 | 11:22 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli priti sot në Kuvend, mysafirë të veçantë. Ndryshe nga herët e tjera, në ulëset e deputetëve sot zënë vend fëmijët e shkollave të ndryshme të Kosovës.

Veseli hapi dyert e Kuvendit për fëmijët me rastin e “Ditës  e Konventës Ndërkombëtare për Të Drejtat e Fëmijëve” dhe iu premtoi se do të ketë ligje për mbrojtjen e të drejtave të tyre e kujdesit shëndetësor raporton Ekonomia Online.

Ai tha se Kosova do të jetë vend i lumtur vetëm kur fëmijët e saj do të jenë të lumtur, do të kenë shkollim të mirë, ambient të sigurtë në shoqëri, mirëqenie në familjet e tyre, shëndet të mirë dhe jetë pa shqetësime.

Veseli garantoi fëmijët se së bashku me kolegët e tij deputetë, do të punojë shumë që të drejtat e fëmijëve të mbrohen në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Ne do të kemi ligje përkatëse për mbrojtjen e të drejtave tuaja në edukim, kujdes shëndetësor, në mbrojtje nga format e diskriminimit, sepse të gjithë ju jeni fëmijët e Kosovës. Të gjithë jeni të barabartë. Duhet të rriteni dhe edukoheni të barabartë. Mbajeni në kujtesë këtë ditë. Ju nesër do të jeni deputetët dhe zyrtarët e rinj të shtetit të Kosovës. Ju do ta trashëgoni këtë shtet, të cilin e kemi ndërtuar ne, baballarët tuaj, me aq mund e sakrifica. Ne do të punojmë shumë që ju nesër të mund të krenoheni me ne. Ju mësoni shumë që nesër të punoni për Kosovën edhe më mirë se ne”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Disa prej fëmijëve përfaqësues të grupeve të ndryshme adresuan kërkesat e tyre për deputetët e kryekuvendarin Veselin. Kishte prej tyre që kërkuan edhe votim të ligjit për mbrojtjen e fëmijëve. Fëmijë me nevoja të veçanta, adresuan vështirësitë e tyre dhe drojën për tu punësuar pas shkollimit. Kaltrina Vranovci pjesëtare e këtij komuniteti kërkoi që shteti të kujdeset më shumë për nevojat e tyre.

“Shteti duhet të kujdeset për punësimin tonë. Ku do të mbesim pasi ta përfundojmë shkollimin. Ju duhet të mendoni për ne sikur për vetën tuaj”, u shpreh Kaltrina.

Fëmijët miratuan rezolutën për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Kjo rezolutë iu dorëzua kryetares së Komisionit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Duda Balje.
Balje u shpreh se do të punoj për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, derisa tha se seanca as një ditë nuk është dukur më e bukur se sot.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës, UNICEF-in, Save the Children dhe KOMF në Kosovë, ndërsa të pranishëm ishin edhe anëtarë të Komisionit për Drejtat e Njeriut dhe deputetë të tjerë të Kuvendit.

 

Të ngjashme