Veseli në Mitrovicë: ‘Fillimi i Ri’ do të sjellë transformim ekonomik

Prishtinë | 30 Maj 2017 | 17:32 | Nga

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli para të rinjve në Mitrovicë tha se Fillimi i Ri është koncepti fitues dhe do të marrë vendime të rëndësishme për vendin. Ky koncept nënkupton, tha ai, një transformim ekonomik të fuqishëm për vendin. Mitrovica, shtoi ai, ka nevojë për zhvillim ekonomik, për fabrika. Me qeverisjen e ardhshme, sipas Veselit, do të ketë më shumë prodhim.

Rinia, premtoi Veseli, do të ketë vende pune, arsimin adekuat dhe mundësi për hapje të bizneseve dhe kështu nuk do të ketë mundësi dhe dëshirë për t’u larguar nga vendi.

Veseli tha se nuk ka forcë që i ndalë qytetarët e Republikës së Kosovës për të jetuar në pjesën veriore, madje foli me optimizëm për Trepçën në rast se koalicioni i partisë së tij i fiton zgjedhjet.

“Minatorët nuk kanë nevojë për lëmoshë, por ne kemi nevojë për minatorët. Trepça do të ketë perspektivë për aq sa do të kenë shumë miniera që do të hapen anembanë Kosovës. Ne do të vazhdojmë me platformën e Fillimit të Ri, investimin në qytetin dikur më industrial dhe urban në Republikën e Kosovës”, ka thënë Veseli.

 

Veseli këtu ka premtuar rritjen e pagave për shërbyesit e sektorit të shëndetësisë. Por këtu kreu i PDK-së nuk harroi të premtojë edhe rritjen e pensioneve.

““200 milionë euro dalin çdo vit jashtë Kosovës në vend se të mbesin tek doktorët tanë. Do të përkrahim doktorët tanë, nuk do të lejojmë që doktorët tanë të përgatiten e të dalin jashtë Kosovës. Pensionistët, si mund të kemi fuqizim të rinjve kur nuk respektojmë të moshuarit, edhe i vjetri ka qenë dikur i ri, do të rrisim pensionet. Do të mundohemi të largojmë barrën e rëndë të tyre për barnat, të gjitha këto do t’i merr përgjegjësi buxheti i Kosovës sepse ka obligim ndaj këtyre njerëzve, kjo është ajo çfarë do të bëjmë”, ka përfunduar ai.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme