Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në kuvendin zgjedhor të Rinisë Demokratike në Mitrovicë për të ndjekur nga afër procesin zgjedhor që po zhvillohet në kuadër të PDK-së.
“Nga sot fillon rrugëtimin e vet Dekada e Re. Sot fillon Dekada e re për transofrmim e modernizim, fillon Dekada e fuqizimit më të madh për rininë, për PDK-në. Rinia jonë duhet të mendojë dhe të angazhohet në vendin e vet. Kjo është ajo që duhet ta bëjmë në Dekadën e Dytë të Pavarësisë, në Dekadën e Re të lirisë sonë, në Dekadën e Besimit, Zhvillimit dhe Integrimit”, tha Veseli.
Lideri i PDK-së theksoi se në procesin e deritashēm zgjedhor të Rinisë Demokratike, kanë marrë pjesë mbi 20 mijë të rinj, ndërsa shtoi se gjatë procesit zgjedhor, edhe mijëra të rinj po i bashkohem vizionit të ri të PDK-së në Dekadën e Re.
“Dekada e Dytë e Pavarësisë së Kosovës do të jetë dekada e të rinjve. Dekada e lidershipit të tyre në sfidat e zhvillimit ekonomik, fuqizimit të demokracisë dhe përshpejtimit të agjendës së integrimit euro-atlantik. Ky është koncepti dhe vizioni i ri i Partisë Demokratike për të rinjtë e Kosovës. Ne synojmë një qasje plotësisht të re në përfshirjen e të rinjve në politikë, duke ruajtur njëkohësisht traditën e mirë që kemi ndërtuar si parti në krijimin e hapësirës politike për angazhimin e të rinjve. Rinia do të jetë mekanizmi kryesor i ndryshimit të partisë dhe të vendit”, tha Veseli.
Ai kujtoi se PDK që nga themelimi e deri tani vazhdimisht i ka dhënë hapësirë të madhe Rinisë Demokratike.
“Nuk ka parti politike shqiptare që u jep më shumë hapësirë rinisë sesa Partia Demokratike e Kosovës. Shikoni ministrat tanë të rinj, shefin e Grupit Parlamentar në Mitrovicë, po ashtu shefin e Grupit Parlamentar në Kuvendin e Kosovës, të gjithë vijnë nga Rinia Demokratike. Këtë e kemi bërë sepse ne besojmë tek rinia, tek vizioni i të rinjve sepse të rinjtë kanë shpirt inovatorë”, tha kreu i PDK-së para qindra të rinjve mitrovicas.