Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në mbledhjen e Këshillit Drejtues tha se kjo parti në të gjitha nivelet e saj, ka qenë garantuesi kryesor i të arriturave të mëdha të shtetit tonë gjatë gjithë këtyre viteve.
Ai poashtu tha se PDK edhe në të ardhmen do të vazhdojë të jetë e tillë, ngase sipas tij e kanë obligim dhe pasion këtë synim, raporton Ekonomia Online.
“Fatkeqësisht, disa nga forcat politike opozitare kanë zgjedhur rrugën e gabuar në bërjen e opozitarizimit, duke tentuar të bllokojnë proceset politike të shtetit për përfitime politike. Shteti nuk mbrohet duke penguar proceset e tij të shtetformimit. Sovraniteti i shtetit nuk mbrohet duke penguar procesin e përcaktimit të kufijve ndërkombëtar të tij”, tha ai.
Duke folur për gjendjen aktuale në vend, Veseli tha se nuk do të tolerojnë hyrje të paligjshme në Republikën e Kosovës dhe as mure të ndarjes në Mitrovicë apo gjetiu.
E shembjen e murit Veseli e ka quajtur fitore të ligjit, fitore e Republikës së Kosovës, fitore e të gjithë qytetarëve dhe të gjitha komuniteteve padallim.
“Jeta me mure është e zymtë dhe jam i bindur se kjo nuk është dëshirë dhe vullneti qytetarëve serbë të veriut të Kosovës”, tha ai.
“Vetëm liria e lëvizjes i shpie përpara shoqëritë dhe kjo ka për të ndodhur edhe në Mitrovicë. Askush të mos ketë dilema për këtë dhe ne PDK jemi garant të kësaj”.
“Nuk do të lejojmë që mbi shtetin e Kosovës të vendosen pikëpyetje as nga ata që nuk e njohin identitetin shtetëror të Kosovës dhe të arriturat e Republikës së Kosovës”.
“Republika e Kosovës ka lindur njëherë për të qëndruar përgjithmonë si shtet i pavarur në hartën politike të botës. Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të cenohet partneriteti ynë me botën demokratike, raportet tona të shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian”.
Fjalimi i plotë i Veselit gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së:
Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës,
Të nderuar anëtarë të kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës,
Të nderuar deputetë, ministra, zëvendësministra, kryetarë të komunave,
Zonja dhe zotërinj,
Jemi mbledhur sot, në këtë forum të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, që të diskutojmë e të bashkëbisedojmë për gjendjen aktuale në vend, për angazhimet tona partiake dhe institucionale dhe prioritetet që na presin në muajt në vazhdim, gjatë këtij viti vendimtar për të ardhmen e vendit.
Si gjithmonë, Partia Demokratike e Kosovës, në të gjitha nivelet e saj, në të gjitha angazhimet e saj, ka qenë garantuesi kryesor i të arriturave të mëdha të shtetit tonë gjatë gjithë këtyre viteve.
Do të vazhdojmë të jemi të tillë. E kemi obligim dhe pasion njëkohësisht këtë synim.
Pa asnjë mëdyshje. Asnjëlëkundje.
Sepse jemi partia më e madhe në vend.
Sepse kemi besimin më të madh të qytetarëve të Republikës.
Sepse alternativa jonë politike është alternativa më bindëse për shtetin e Kosovës, për fuqizimin dhe avancimin e tij të brendshëm dhe të jashtëm.
Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës
Në dy vitet e fundit si shtet dhe shoqëri kemi kaluar momente aspak të mira.
Kemi kaluar momente sfiduese për shtetin dhe disa herë zhgënjyese për qytetarët tanë.
Imponimii frymës së konfliktit politik, ikja nga domosdoshmëria e konsensusit për interesat vitale të shtetit, kanë pasur vetëm pasoja negative për vendin dhe qytetarët.
Duhet të jemi realist në këtë drejtim.
Kemi humbur shumë kohë dhe energji në debate dhe agjenda shterpe, të motivuara nga interesa meskine politike.
Janë lënë anash qytetarët dhe shqetësimet e tyre reale që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e familjeve të tyre.
Janë lënë anash parimet kryesore të demokracisë, se politika është për t’u dhënë zgjidhje problemeve të qytetarëve, e jo për tu krijuar probleme të reja atyre.
Dhe krejt kjo ka ardhur jo për fajin tonë si Parti Demokratike e Kosovës, apo edhe koalicion qeverisës.
Fatkeqësisht,disa nga forcat politike opozitare kanë zgjedhur rrugën e gabuar në bërjen e opozitarizimit, duke tentuar të bllokojnë proceset politike të shtetit për përfitime politike.
Të nderuar kolegë,
Situata politike shpeshherë, në realitetin tonë politik aktual po bëhet e komplikuar, brenda cinizmit të kësaj tentative, duke u thirrur edhe në mbrojtjen e shtetit apo sovranitetit të tij.
Kjo është jo vetëm e papranueshme, si sjellje dhe mentalitet, por është e dëmshme pikërisht për shtetin dhe kombin tonë.
Shteti nuk mbrohet duke penguar proceset e tij të shtetformimit.
Sovraniteti i shtetit nuk mbrohet duke penguar procesin e përcaktimit të kufijve ndërkombëtar të tij.
Shteti nuk respektohet duke përçmuar simbolet dhe kushtetutën e tij.
Qytetarët nuk përfaqësohen me veprime politike që pengojnë procesin e integrimeve euroatlantikedhe të njëjtën kohë duke u thirrur në ato vlera.
As nuk liberalizohen vizat për qytetarët tanë me sjellje të tilla politike dhe është cinizëm të mendohet të krijohet Ushtria e Kosovës duke humbur besimin e partnereve tanë të NATO-s, SHBA-ve dhe vendeve tjera perëndimore me qëndrime dhe imponime politike vetëm për konsum elektoral.
Të nderuar kolegë,
Shtrohet pyetja:Por, çfarë kemi bërë ne nga ana jonë?
Kemi shmangur më të keqën, kemi shmangur dhunën, në favor në rrugës së arsyes. Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë demokratike.
I kemi ftuar forcat opozitare që të ulemi sëbashku t’i diskutojmë dallimet, t’i bashkëbisedojmë mosmarrëveshjet, të kërkojmë zgjidhje përmes dialogut të brendshëm, por thirrjet tona gjithmonë janë refuzuar prej qëndrimeve të ngurta të atyre që verbërisht besojnë se ata dhe vetëm ata janë pronarë të së vërtetës.
Në të njëjtën kohë kemi treguar vendosmëri institucionale.
Kemi ruajtur institucionet, rendin demokratik, partneritetin dhe obligimet ndërkombëtare të shtetit tonë, në radhë të parë ato që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim.
Kemi qenë faktor i brendshëm i stabilitetit të vendit.
Në politikat buxhetore kemi orientuar investimet në projektet zhvillimore që dalin nga vizioni dhe programi ynë qeverisës.
Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës,
Qytetarët e presin nga ne, nga Partia Demokratike e Kosovës presin ndryshim dhe zhvillim.
Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme të prijë zhvillimit të Kosovës, në të gjitha drejtimet.
Nuk do të lejojmë që mbi shtetin e Kosovës të vendosen pikëpyetje ekzistenciale dhe gjeopolitike.
Në asnjë rrethanë dhe nga askush.
As nga ata që nisin trena të urrejtjeve të vjetra apo ndërtojnë mure të ndarjes.
Unë kam pasur qëndrim të qartë ndaj provokimeve të Serbisë dhe kam qenë i vendosur në hapat e ndërmarr, si në ndalimin e trenit të paligjshëm, ashtu dhe rrënimine murit në veri të Ibrit në Mitrovicë.
Nuk do të tolerojmë hyrje të paligjshme në Republikën e Kosovës.
As mure të ndarjes në Mitrovicë apo gjetiu.
Shembja e murit në Mitrovicë është fitore e ligjit, fitore e Republikës së Kosovës, fitore e të gjithë qytetarëve dhe të gjitha komuniteteve padallim.
Jeta me mure është e zymtë dhe jam i bindur se kjo nuk është dëshirë dhe vullneti qytetarëve serbë të veriut të Kosovës.
Vetëm liria e lëvizjes i shpie përpara shoqëritë dhe kjo ka për të ndodhur edhe në Mitrovicë.
Askush të mos ketë dilema për këtë dhe ne PDK jemi garant të kësaj.
Nuk do të lejojmë që mbi shtetin e Kosovës të vendosen pikëpyetje as nga ata që nuk e njohin identitetin shtetëror të Kosovës dhe të arriturat e Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës ka lindur njëherë për të qëndruar përgjithmonë si shtet i pavarur në hartën politike të botës.
Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të cenohet partneriteti ynë me botën demokratike, raportet tona të shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian.
Sëfundi unë isha në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atje mu konfirmua mbështetja e plotë e administratës së re të presidentit Trump për Republikën e Kosovës.
Kosova ka miq.Ka aleatë dhe është e do te mbetet aleate!
Partneriteti me bashkësinë ndërkombëtareështë shtyllë e fuqizimit të Kosovës si shtet dhe ekonomi!
Janë njerëzit e Partisë Demokratike të Kosovës, jeni ju që me vizionin tuaj e keni ndërtuar dhe sot jeni garant të këtij partneriteti.
Me shumicën nga ju, të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, kemi kaluar momente dhe ngjarje me peshë historike.
Kemi qenë udhëhequr luftënçlirimtare, kemi qenë pjesë e rindërtimit të vendit, shpalljes së pavarësisë dhe shtet formimit, si forcë kryesore politike në vend.
Jam krenar që kam punuar sëbashku me ju.
Jam krenar që sot jemi sëbashku në Partinë Demokratike të Kosovës.
Sot obligimet tona janë poaq të mëdha.
Jemi ende në gjysmë të rrugës si shoqëri dhe si shtet.
Duhet ta përfundojmë shtetndërtimin, të nxisim zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, krijimin e perspektivës për të rinjtë tanë dhe të përshpejtojmë në rrugën e integrimeve euroatlantike.
Këto synime janë kriteret e patriotizmit të ri që duhet të zë vend në mendjet dhe zemrat tona.
Ky është vizioni i Partisë Demokratike të Kosovës.
Ju njoh prej vitesh dhe e di përkushtimin tuaj të sinqertë dhe atdhetar.
Besoj në forcën tuaj, në vlerat që përfaqësoni personalisht dhe si familje.
Besoj në këmbënguljen tuaj për të mos u dorëzuar para sfidave që kemi përpara.Ky është burimi i energjisë dhe besimit tim në drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ky është identiteti i Partisë Demokratike të Kosovës, irritur bashkë me identitetin shtetëror të Kosovës.
Kemi përpara shumë punë. Shumëshpejt do të kemi një Konventë të re zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës.
Kërkohet angazhim maksimal i të gjithëve:
– mobilizim i strukturave në të gjitha nivelet, duke u nisur nga ju dhe përgjegjësitë individuale që i keni,
– dinamikë e re në aktivitetet e përditshme partiake,hapje e partisë për të gjithë njerëzit që kanë ide dhe duan ta shohin Kosovën të ecë përpara,
– zgjerim dhe thellim i komunikimit me qytetarët në të katër anët e vendit.
Në javët e ardhshme unë do t’i prij këtyre takimeve duke takuar strukturat e PDK-së dhe qytetarët në të gjithë vendin.
Do të bashkëbisedoj me ta, të njihem me shqetësimet dhe pritjet e tyre.
Vizioni ynë buron nga vullneti i tyre dhe platforma jonë do të jetë realizim i aspiratave të tyre.
Kemi hyrë në vit elektoral dhe koha është që tëpërgatitemi për fitoren e radhës së Partisë Demokratike të Kosovës.
Ne gjithmonë i kemi merituar fitoret dhe fitoret tona janë kthyer gjithmonë në garancë për ecjen përpara të shtetit të Kosovës.Ju faleminderit!