Kreu i Kuvendit Kadri Veseli, pas takimit të krerëve të shtetit tha se deportimi i 6 shtetasve turq ishte i gabuar.
Sipas tij, nuk do të ndodhin kurrë gjëra të tilla në shtetin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Jemi takuar krerët e shteti, dua të përçoj mesazhin se ka pasur defekte për të cilat kanë ndodhur gabime”.
“Dua të garantoj qytetarët dhe të gjithë ata që jetojnë këtu se asnjëherë nuk të ndodh diçka e tillë. Ka qenë e dëmshme dhe jemi duke marrë të gjitha masat”, theksoi kreu i Kuvendit.
Veseli nuk ka dashur që të komentojë kur u pyet nga gazetarët se pse presidenti Hashim Thaçi lëshoi takimin disa minuta pasi kishte filluar.
Edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka refuzuar të komentojë për atë se çka u diskutua në takim.
As Behgjet Pacolli e Agim Bahtiri, të cilët ishin në takim nuk folën për media kur u pyetën a do të vazhdojnë të jenë pjesë e Qeverisë Haradinaj, pas shkarkimit të ministrit Flamur Sefaj që vjen nga AKR-ja.
13:00 – Thaçi del nga takimi me krerët e shtetit, s’flet për media
Presidenti Hashim Thaçi ka dalë nga takimi me krerët e shtetit. Ai nuk ka folur për media për temat e takimit, raporton Ekonomia Online. Takimi po mbahet në një nga restorantet në periferi të kryeqytetit.
12:20 – Krerët e shtetit mblidhen në periferi të Prishtinës, pas deportimit të 6 shtetasve turq
Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, Kreu i Kuvendit Kadri Veseli, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, janë mbledhur në një takim në një restorant në periferi të Prishtinës pas deportimit të 6 shtetasve turq.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk ka pasur njohuri për deportimin e gjashtë shtetasve turq, raporton Ekonomia Online.
Ai në seancën e Kuvendit tha se është njoftuar prej medieve dhe palëve të treta. Haradinaj ka sqaruar kërkesën e tij për lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia të Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. Sipas tij, kjo kërkesë është “e parevokueshme”.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se për arrestimin dhe depërtimin e gjashtë shtetasve turq në Turqi, ka përgjegjësi ai si kryeparlamentar, kryeministri, presidenti, ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i AKI-së.
Veseli ka pyetur se “ku do të mbetet shteti i pavarur i Kosovës nëse të depërtuarit në Turqi i vrasin”.