Veseli për Ditën e Kushtetutës: Ky dokument është aty për të na mbrojtur nga despotët

Prishtinë | 09 Pri 2020 | 11:30 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokatike të Kosovës, Kadri Veseli me rastin e 9 Prillit “Ditës së Kushtetutës”, ka thënë se kjo ditë shënoi momentin me të rëndësishëm historik për shtetin dhe të ardhmen e qytetarëve.

Sipas Veselit, Kosova ka kushtetutën me moderne me standarde të larta Evropiane. Andaj tha ai se ky dokument është aty për të na mbrojtur nga despotët.

“Në thelb të konstitucionalizmit qëndron kontrolli dhe kufizimi i pushtetit, përcaktimi i ndarjes së pushteteve si dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut. Prandaj duhet kujtuar ky fakt, sot e në të ardhmen, ndaj kujtdo që manifeston tendenca despotike e autokratike që synojnë ta shkelin sundimin e ligjit në Kosovë”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Postimi i plotë i Veselit:

Miratimi i Kushtetutës së Kosovës 12 vite më parë, shënoi një moment të rëndësishëm historik për konsolidimin e shtetësisë sonë si dhe për të ardhmen e popullit tonë. Ne krenohemi që kemi një ndër kushtetutat më moderne, e cila ka mishëruar praktikat më të avancuara dhe standardet më të larta në Evropë. Ky dokument themeltar i shtetit tonë, bazohet tek parimi i konstitucionalizmit, një ide evropiane që zanafillën e ka në epokën e iluministëve, të cilët nëpërmjet këtij parimi u përpoqën dhe ia dolën me sukses të kufizonin absolutizmin monarkik.

Në thelb të konstitucionalizmit qëndron kontrolli dhe kufizimi i pushtetit, përcaktimi i ndarjes së pushteteve si dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut. Prandaj duhet kujtuar ky fakt, sot e në të ardhmen, ndaj kujtdo që manifeston tendenca despotike e autokratike që synojnë ta shkelin sundimin e ligjit në Kosovë. Urime të gjithëve për 9 prillin, Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!

Të ngjashme