Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, u ka thënë mijëra qytetarëve të Skenderajt, të cilin kishin mbushur sheshin “Adem Jashari”, se sa të jetë Partia Demokratike e Kosovës, Drenica do të jetë pushtet e fuqi.
Veseli ka thënë se Drenica është vendlindja e lirisë, vendlindja e UÇK-së, vendlindja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, e njëherësh, vendlindja e PDK-së dhe e Fillimit të Ri.
“Faleminderit Drenicë, i ke i dhënë shumë lirisë. Gjithë shqiptarët kudo që janë, janë krenarë me ju. Faleminderit Drenicë, i keni dhënë shumë Partisë Demokratike të Kosovës, 17 vite e keni mbajt fuqishëm.
Dhe, Drenicë, sa të jetë Partia Demokratike e Kosovës do të jetë Drenica pushtet e fuqi. Se ju jeni Partia Demokratike e Kosovës, ju jeni fuqia e PDK-së. Ka kaluar koha kur Drenica mbetej e izoluar. Ka kaluar koha kur djemtë e Drenicës nuk e udhëhiqnin shtetin. Ata do ta udhëheqin shtetin e Kosovës, me president, me qeveri dhe Kuvend”, tha Veseli.
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës konfirmoi zotimin e tij për rritje të buxhetit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe kujdesit qytetar, si dhe mbështetje të fuqishme për të rinjtë, gratë dhe pensionistët.
Ai tha se pas 11 qershorit, do të ketë mbështetje të fuqishme për sipërmarrësit, do të cilët njëherësh do të jenë edhe bartësit kryesorë të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Edhe në këtë tubim, Kadri Veseli rikonfirmoi rritjen e pagave në sektorin e shëndetësisë dhe punëtorët e tjerë të sektorit publik, si dhe të pensioneve, në shumën prej 30 për qind.