Veseli takon Gjinovcin: Kompensimi për fermerët fillon shumë shpejt

Prishtinë | 31 Tet 2017 | 12:49 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur në takim kryeshefin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovcin, nga i cili është informuar për punën dhe angazhimin e kësaj Agjencie për mbështetjen ndaj fermerëve dhe prodhuesve vendorë.

Veseli ka falënderuar Gjinovcin për punën dhe angazhimin në përkrahjen e gjithë prodhuesve vendorë, ndërsa ka kërkuar që kompensimi i fermerëve, gjedhet e të cilëve ishin prekur nga sëmundja gungore e lëkurës të fillojë sa më shpejt.

“Mbështetja për të gjithë fermerët do të rritet në vazhdimësi si dhe do të fuqizohet përkrahja e veprimtarive për gjithë prodhuesit vendorë. Prodhuesit kosovarë dhe fermerët janë shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe mbështetja për ta do të jetë e vazhdueshme”, tha kryeparlamentari Veseli.

Gjinovci e ka siguruar kryeparlamentarin Veseli se fondi prej 1.5 milionë euro që ishte ndarë për kompensimin e fermerëve për sëmundjen gungore të lëkurës do të filloj të shpërndahet shumë shpejt.

Kryeshefi i AUV-it e ka falënderuar kryeparlamentarin Veseli për angazhimin dhe përkrahjen e vazhdueshme për fermerët dhe gjithë prodhuesit vendorë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme