Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka takuar sot një grup të veteraneve të UÇK-së, dhe me këtë rast, në rrjetin social ka theksuar se shumë gra e vajza rrokën armët dhe veshën uniformën e UÇK-së, duke i dalë zot kësaj toke.
Kryetari Veseli ka cekur se me veteranet e luftës çlirimtare bisedoi për rrugëtimin e lirisë dhe pavarësisë, si dhe për sfidat që na presin përpara.
“Përkrahja e tyre është jo vetëm nder, por edhe obligim moral për t’i shkuar deri në fund luftës kundër korrupsionit dhe për ta mbajtur rininë në Kosovë, duke ndërtuar të ardhmen që meriton atdheu ynë”, ka cekur Veseli.
Postimi i plotë:
“Ne jemi populli i Teutës, Norës së Kelmendit, Bubulinës, Tringë Smajlit, Shotë Galicës, Xhevë Lladrovcit e shumë heroinave të tjera që i kanë dalë përballë pushtuesve. Nënat, motrat e vajzat tona kanë mbajtur mbi supe një peshë të rëndë në çdo kohë të vështirë të historisë. Shumë gra e vajza rrokën armët dhe veshën uniformën e UÇK-së, duke i dalë zot kësaj toke. Unë i takova dhe bisedova me disa prej tyre për rrugëtimin e lirisë dhe pavarësisë, si dhe për sfidat që na presin përpara.
U jam pafundësisht mirënjohës këtyre veteraneve për rolin kyç në luftë, por edhe për mbështetjen që më dhanë në luftën kundër korrupsionit. Përkrahja e tyre është jo vetëm nder, por edhe obligim moral për t’i shkuar deri në fund luftës kundër korrupsionit dhe për ta mbajtur rininë në Kosovë, duke ndërtuar të ardhmen që meriton atdheu ynë.