Veseli: U bëmë bashkë që Serbia të mos kthehet kurrë në Kosovë

Prishtinë | 09 Qer 2017 | 16:31 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, duke iu drejtuar simpatizantëve të koalicionit PDK-AAK-Nisma, në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, ka thënë se fitorja e “Fillimit të Ri” është fitore e qytetarëve të Kosovës, raporton EkonomiaOnline.

Fjalimin e tij, bartësi i listës, e filloi duke uruar të pranishmit “urime fitorja të gjithëve”.

“Ne bijtë tu jemi bërë bashkë për ty Kosovë, për lirinë tënde për qytetarët e Republikës sonë”, ka thënë Veseli.

Veseli ka bërë thirrje të votohet “Fillimi i Ri”.

“Të dalim të qetë me 11 qershor. Dilni e votoni sepse për katër vjet do të jetë një qeveri e vendimmarrjes, e guximit e sakrificës për atdheun. 12 qershori i hap perspektivën Kosovës sonte të pavarur”, ka shtuar Veseli.

Ai ka thënë se më 11 qershor secili të mendojë kush e do Kosovën të zhvilluar dhe të integruar, kush do që Beogradi të mos përzihet në vendimmarrje të Kosovë.

“Kam dy mesazhe që janë shumë të rëndësishme. ‘Fillimi i ri’ është bashkimi ynë për Kosovën tonë të lirë e perëndimore. Thërras të gjithë që ende kanë dilema, bashkohuni edhe ju, sepse ne jemi bërë bashkë për ju, që më kurrë Serbia të mos kthehet në Kosovë. Voton Partinë Demokratike të Kosovës 11 qershor sepse për katër vite do të jetë një qeveri e vendimmarrjes, një qeveri që i thotë jo cenimit të sovranitetit tonë, një qeveri që i thotë po zhvillimit ekonomik”, ka shtuar ai.

Haradinaj: Urime Kosovë qeveria e kufijve të paprekshëm

Kandidati për kryeministër nga PAN, Ramush Haradinaj, duke iu drejtuar simpatizantëve në tubimin përmbyllës, ka thënë se duke i shërbyer atdheut nderojmë miqtë tanë ndërkombëtarë.Ai edhe njëherë ka përmendur prioritetet e qeverisë së ardhshme, duke thënë se do të krijojnë një të ardhme të mirë për qytetarët e vendit.

“Ta forcojmë prodhimin tonë, t’i aktivizojmë minierat, ta kthejmë besimin e diasporës në atdheun tonë. Të rrisim buxhetin e Kosovës, por jo duke i rrit taksat por duke hapur vende të reja të punës. T’i rrisim pensionet, t’i rrisim pagat, ta nderojmë atdheun duke i nderuar dëshmorët e lirisë, t’i nderojmë minatorët e punëtorët e t’i japim stazhin e punës. Ta shërojmë shëndetësisë që qytetari ynë të shërohet në vend pa pasur nevojë të del jashtë vendit, ta ruajmë tokën tonë, ujin e ajrin, ta ruajmë identitetin tonë kombëtarë e fetar”, ka thënë ai.

“Kosovë urime fitorja, urime qeveria e kufijve të paprekshëm, urime qeveria Kosovë që e donë Kosovën me ushtrinë e vet, urime qeveria që e respekton i pozitën që i respekton mediat e lira e të pavarura, urime qeveria e qytetarëve të lirë e të barabartë që lëvizin pa viza, urime qeveria që merr njohje të reja dhe që e anëtarëson Kosovën në organizata ndërkombëtarë dhe në fund Kosovë urime qeveria që rrit miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.

Limaj: U bashkuam për t’i dhënë një mundësi vendit

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në tubimin përmbyllës të fushatës, të koalicionit PDK-AAK-Nisma, ka thënë se jemi dy ditë para vendimit që u takon qytetarëve për të vendosur, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës 11 qershor do të thonë fjalën e tyre për drejtimin e ri dhe vizionin e përbashkët.

Ai ka shpalosur arsyet pse janë bërë bashke tri partitë qe po cilësohen si krahu i luftës.

“Koha ka ardhur që Kosova brenda vetes dhe përballë të tjerëve të veproj si ekip i përbashkët në ndërtimin e vendit tonë dhe forcimin e shtetit. Ne nuk humb askush, ne nuk u bashkuam për t’i mundur njerëzit tanë por u bashkuam për t’ia dhënë një mundësi vendit tonë. Ne kemi treguar e demonstruar të kaluarën e do të vazhdojmë të demonstrojmë të bashkuar”, tha Limaj.

Limaj ka thënë se ky koalicion nëse fiton do të përballet edhe me Serbinë.

“Kemi treguar edhe në të kaluarën vullnetin tonë për të bashkëpunuar, jemi të gatshëm për të zgjatur dorë e bashkëpunuar me të gjithë fqinjët. Të gatshëm për të zgjatur dorë për të bashkëpunuar me fqinjët. Ne nuk e ulim kokën ne jemi të gatshëm e do të ballafaqohemi edhe me Vuçiqin që dje e mundëm. Koha është për një ekip të fuqishëm. Për një ekip fitues i cili din të fitojë beteja, luftë e sfida të mëdha”, ka thënë ai, raporton EO.

PAN-i mbush sallën “1 Tetori”

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka arritur në sallën “1 Tetori”, ku u prit me duartrokitje nga të pranishmit. Tashmë edhe ka filluar tubimi përmbyllës i koalicionit PAN.

Salla “1 Tetori”, ku pritet të mbahet tubimi përmbyllës zgjedhor i koalicionit PAN është stërmbushur.

Aty shihen edhe dy liderët, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, raporton Ekonomia Online.

Simpatizantët po mbajnë në duar flamuj partiakë, teksa presin që tubimi të fillojë.

 

Të ngjashme