Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, po merr pjesë në Lutjet e Mëngjesit, të cilat po mbahen në Tiranë, nën organizimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij para përfaqësuesve të parlamenteve nga shumë vende të botës, kryeparlamentari Veseli tha se ndihet i nderuar që gjendet sot në Tiranë për të përçuar mesazhin e paqes, dashurisë dhe respektit për njëri –tjetrin.
Veseli kujtoi takimin e fundit në Kosovë dhe drekën e veçantë buzë lumit Ibër në Mitrovicë, ku janë takuar bashkërisht shqiptarë, serbë dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera, për të përçuar, siç tha Veseli, mesazhin e përbashkët se atë që e ka krijuar zoti nuk është mirë ta ndajë njeriu.
Ai tha se fqinjësinë e kemi të përbashkët, sikurse jetën. Kreu i Kuvendit shtoi se asgjë më të shenjtë nuk ka në jetë sesa besimi dhe respekti ndaj njëri-tjetrin.
“Populli im në të kaluarën ka përjetuar gjëra të cilat nuk kanë qenë shumë të lehta. Populli im falë dhe mendon për të ardhmen, mendon për respektin edhe ndaj fqinjeve, mendon edhe për respektin e të gjithë atyre që vuajnë po aq sa ka vuajtuar ai vet vetëm dy dekada më herët. Besoj dhe shpresoj që fqinjtë tanë do të na respektojnë ne ashtu siç duam t’i respektojmë ne ata, të jetojmë në paqe, me identitetet tona dhe me respekt ndaj njëri-tjetrit. Regjioni ynë ka nevojë për paqe dhe respekt”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Në vazhdim të fjalës së tij, kreu i Kuvendit tha se nëse shkencëtarët dhe ekspertët e ekonomisë do të bënin analiza se si do të arrihej prosperiteti në këtë regjion, formula më e thjeshtë, sipas tij, do të ishte bashkëpunimi mes vete.
Në momentin kur arrihet që Ballkani të kuptojë realitetin dhe respektin për njëri-tjetrin, shtoi Veseli, do të arrihet të ketë prosperitet shumë më të fuqishëm për qytetarët e rajonit, për të jetuar në vendet e tyre dhe për të mos kërkuar në vende të tjera.
“Ky është mesazhi që dëshiroj të përçoj sot nga ky mëngjes. Lutjet tona shkojnë për të gjithë ata popuj dhe njerëz të cilët kanë nevojë. Lutjet tona shkojnë më së shumti për të gjithë ata që e kanë mendjen dhe qëllimin e mirë dhe që mëndojnë më shumë sa për veten, aq edhe për tjetrin”, tha kryeparlamentari Veseli.
Ish-presidenti shqiptar Bujar Nishani, tha se shqiptarët kanë qenë gjithmonë kombi që ka prezantuar më së miri modelin e tolerancës, mirëkuptimit dhe respektit.
“Historia a ka mësuar se individët bëjnë progres dhe shoqëria pasurohet kur ato kthejnë energjinë në harmoni dhe respekt për njeri tjetrin. Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë gjithmonë vendi dhe kombi që ka prezantuar më së miri modelin e tolerancës, mirëkuptimit dhe respektit dhe jo vetëm në religjion ku familjet kanë jetuar për shekuj në harmoni dhe në respekt për objektet e njëra-tjetrës. Ata kanë ndarë në të kaluarën dhe ndajnë akoma festat më njëri-tjetrin”.
“Zhvillimi ynë, prosperiteti dhe siguria mbesin sfida, zhvillimi kulturor, transparenca dhe platformë e terrorizmit janë sfida kyçe me të cilat ne duhet të përballemi, përgjegjësia jonë është më e madhe, sepse është përgjegjësi edhe për të ardhëm e fëmijëve tanë, dhe është përgjegjësia që do ta rinovoj shoqërinë tonë”.