Veseli: Vetëvendosje e njeh Kosovën veç për pushtet

Prishtinë | 01 Qer 2017 | 18:21 | Nga

Malisheva ishte ndalesa e radhës e kreut të Partisë Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli, në vazhdën e hapjes së fushatës zgjedhore nëpër qendrat e Kosovës.

Para anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve të tjerë të këtij qyteti, Kadri Veseli tha se emri i Malishevës lidhet ngushtë me emrin e lirisë së Kosovës, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe tani do të lidhet edhe me Fillimin e Ri dhe fitoren më të fuqishme që PDK-ja ka shënuar ndonjëherë në historinë e saj.

“Fillimi i Ri ka lindur nga populli ynë dhe kërkesat e tij. Për rreth 100 ditë kam takuar mijëra bashkëqytetarë anekënd Kosovës, kam dëgjuar hallet dhe shqetësimet e tyre. Ajo çfarë dëshirojnë ata është një jetë më e mirë. Ata duan që fëmijët tanë të rriten në një Kosovë krenare, evropiane dhe të zhvilluar ekonomikisht, me perspektivë të sigurtë për të ardhmen e tyre. Këtë do ta bëjmë pas 11 qershorit”, theksoi Veseli.

Veseli kërkoi nga qytetarët e Malishevës që t’i japin votën koalicionit të madh të fitores, PDK-AAK-NISMA, i cili, sipas tij, do të çojë vendin përpara drejt zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik.

“Jemi bërë bashkë në këtë koalicion, jo vetëm pse kemi qenë bashkë në luftë, por se duam të kemi një shtet të zhvilluar ekonomikisht, që qytetarët të kenë një jetë cilësore, që shteti ynë të mos cenohet nga askush dhe që këtë shtet ta çojmë përpara, aty ku e ka vendin, në BE”, theksoi kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Veseli, duke iu referuar Vetëvendosjes, pa e përmendur me emër, ka kërkuar nga qytetarët që të mos e votojnë një koncept politik që Kosovën e njeh veç sa për pushtet.

Ndërsa për koalicionin LDK-AKR ka shtuar se është një koncept që s’mund të udhëheqë me Kosovën pasi s’ka guxim të marrë vendime.

“A mund ta udhëheqë Kosovën një koncept stagunes? Një koncept që nuk guxon asnjëherë të merr vendim, apo një koncept që nuk e njeh shtetin e Kosovës, ose e një veç kur i duhet sikur tash që po duhet të futen në pushtet. A mund të udhëheqë dikush që manipulon me flamurin tonë kombëtar? A mund ta udhëheqë ky koncept shtetin tonë? Mos lejoni që njerëz të tillë të kenë përkrahje”, tha Veseli ne Malishevë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme