Veseli vlerëson investimet në “NewCo Ferronikeli”, premton zhvillimin e “Trepçës”

Drenas | 26 Sht 2018 | 14:35 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë vizitës në kompaninë “NewCo Ferronikeli” në Drenas, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, theksoi rëndësinë e kësaj kompanie dhe ndikimin që ajo ka në krijimin e mirëqenies së punëtorëve të këtij rajoni.

Sipas Veselit, kjo kompani përfaqëson mbi 35% të eksportit të gjithë shtetit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“E kemi një investitor serioz dhe gjigant të ekonomisë sonë kosovare. Jemi mirënjohës se për një afat rekord, Manaj ka arritë ta reaktivizojë prodhimin në Ferronikel dhe t’i paguajë pagesat e punëtorëve duke pasur parasysh ku janë afër 1 mijë familje që jetojnë nga ky aktivitet”.

Veseli theksoi se investitorët do ta kenë gjithmonë përkrahjen e institucioneve të Kosovës.

“Institucionet e Kosovës do t’i japin përkrahje të vazhdueshme investitorëve. Për çdo investitor serioz që vjen dhe investon në Kosovë në fushën e prodhimtarisë minerale, ne e kemi Projektligjin në shqyrtim në leximin e parë dhe qysh javën e ardhshme do ta kemi dhe do i japim perspektivë edhe më shumë investitorëve. Janë 12 fusha të cilat presin si krenaria e Kosovës Trepça, e cila me ligjin e ri do të ketë një transformim të ri, në rritjen e eksportit në ekonominë kosovare, e punësimit, perspektivës dhe gjithë Kosovës”, tha Veseli.

“Ferronikeli është duke punuar falë një investitori serioz. Do të shkojmë ngadalë që t’i zgjidhim përmes rrugëve ligjore, por përkrahja do të jetë e plotë për Manajn dhe gjithë investitorët që investojnë në Kosovë”, tha Veseli.

Veseli ftoi edhe investitorët e tjerë të investojnë në energji, miniera, prodhim e shërbime, sepse, sipas tij, Kosova është një vend i lirë me ligje të sakta stimuluese për investitorë, raporton EO.

“Ftoj investitorët tjerë të investojnë në Kosovën tonë në energji, miniera, prodhim, shërbime, etj., sepse Kosova është një vend i lirë me ligje të sakta stimuluese për investitorë“, tha ai.

Veseli lavdëroi Manajn dhe veprimtarinë e tij që ka pasur deri më tani.

“Është një nga njerëzit më të suksesshëm shqiptarë kohëve të fundit si investitor dhe jashtë territoreve shqiptare. Është fat i mirë që ka ardhë një investitor i tillë. Nuk jemi të kënaqur me investimet e huaja në Kosovë, por ajo që jemi duke bërë është përmirësimi i ambientit, i cili ka shkuar ngritjen e të bërit biznes në Kosovë dhe kemi shumë për të bërë si që këto resurse natyrore që i kemi në të njëjtën kohë kapitalin më të veçantë që është human ta shfrytëzojmë në rrugë të duhur”, tha Veseli.

Pronari i ri i NewCo Ferronikel, Samir Manaj, tregoi se e ka informuar Veselin lidhur me investimet që do të bëhen në rritjen e kapaciteteve të Ferronikelit.

“E informova për situatën e Ferronikelit. Sapo kemi filluar punën para një muaji dhe e informova për investime të reja që do bëjmë për rritjen e kapaciteteve të Ferronikelit dhe besoj se jemi në rrugën e duhur për të arritur maksimalisht prodhimin dhe për të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me funksionalitetin e kësaj fabrike”, tha ai.

“Ky është investimi i dytë në Kosovë pasi që kemi rrjetet si Neptuni dhe Jumbo dhe ky është investimi i dytë për Kosovën dhe shpresoj të funksionojë siç duhet dhe besoj se jemi në rrugë të duhur për ta arritur suksesin”, tha Manaj.

 

Të ngjashme