Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në bashkëpunim me OJQ “Syri i Vizionit”, kanë prezantuar të mërkurën në Pejë një studim të Indeksit Kosovar për Shoqëri Civile për 2017, me të cilin vlerësohet gjendja e shoqërisë civile edhe për rajonin e Pejës, ndër të tjera për burimet e financimit, trendin e përkrahjes financiare, në cilat fusha është aktive dhe sa i besojnë qytetarët shoqërisë civile.
Prezantuesi i studimit, Dren Puka, drejtor i Programit për Hulumtim dhe Avokim, ka treguar se në rajonin e Pejës, prej numrit të përgjithshëm të organizatave të regjistruara në Departamentin për OJQ, janë rreth 5 deri 6 për qind të të gjitha OJQ-ve të regjistruara në nivel vendi, apo diku 600 deri në 700 OJQ, shkruan sot Koha Ditore.
Megjithatë, siç tha ai, ky numër nuk e tregon numrin e vërtetë të organizatave aktive dhe që kanë aktivitet të rregullt.
“Sa janë saktësisht OJQ joaktive në këtë rajon, nuk e kemi numrin e ndarë, por në nivel vendi nuk janë aktive më shumë se 10 për qind të OJQ-ve të regjistruara. Aktivitetin e OJQ-ve e kemi matur përmes disa parametrave dhe një ka qenë nëse kanë deklarime në Administratën Tatimore, dhe të tjetra deklarimi i punëtorëve që e bëjnë OJQ-të në Administratën Tatimore gjatë një viti fiskal”, ka thënë Puka.