Komisioni për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka mbajtur tryezë diskutimi lidhur me zbatimin e rekomandimeve të Institucionit të Avokatit të Popullit, nga ana e institucioneve lokale dhe qendrore, për vitin 2016, raporton Ekonomia Online.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se nga 173 rekomandime të adresuara, vetëm 34% janë zbatuar, 17% janë të pazbatuara dhe 49% mbesin në pritje për tu zbatuar.
Ai tha se moszbatuesit më të mëdhenj janë Këshilli Gjyqësor institucionet qendror e lokal. Jashari ka shtuar se mesatarisht për të përfunduar një proces gjyqësor nevojiten deri 8 vjet.
“Kam gjet mungesë të zbatimeve të rekomandimeve të avokatit të popullit. Është mirë që po mbahet ky takim, për të nxit autoritetet publike në zbatim të rekomandimeve të Avokatit të Popullit, i krijuar mbikëqyrjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”.
“Gjatë vitit 2016 kemi adresuar 173 rekomandime dhe kjo ka shënuar 203% një rritje krahasim me vitin 2015. Nga të gjitha këto rekomandime 34% janë zbatuar, 17% të pa zbatuara dhe 49% mbesin në pritje për zbatim dhe nuk kemi pas reagime prej institucioneve se cila është situata për zbatimin e këtyre rekomandimeve”.
Habit Hajredini, nga Zyra Për Qeverisje të Mirë, tha se kjo zyrë ka për qëllim monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
“Ligji kundër diskriminim obligon institucionet për të koordinuar procesin sa i përket zbatimit të rekomandimeve të avokatit të popullit. Roli i zyrës për qeverisje të mirë, që hën në ligjin për mbrojtjen e diskriminimit, obligon që të monitorohen zbatimi i rekomandimeve të avokatit të popullit për qeverinë dhe komunat.Prodhojmë raporte çdo 6 muaj lidhur me zbatimin e rekomandimeve të avokatit të popullit. Po përpiqemi të bëjmë një sistem më të unifikuar të mbledhjes së të dhënave dhe gjatë këtij viti të kemi një program të unifikuar”.
Edi Gusia, nga Agjensioni për Barazi Gjinore, tha se kanë realizuar rekomandimet e Avokatit të Popullit, të cilat janë fushata vedijësuese për dhunën ndaj grave, si dhe përfshirja e grave minoritare në procese të ndryshme.
“Rekomandimi i Avokatit të Popullit ka qenë, sensibilizim i opinionit me anë të fushatave për dhunën në familje. Në vitin 2017 kemi realizuar fushatën vetëdijsuese stop dhunës ndaj grave , kemi pas fushatën me video-klip dhe fletushka ‘Jo të gjitha plagët janë të dukshme’. Jemi në proces të hartimit të planit për barazi gjinore, për përfshirjen e grave minoritare në procese të ndryshme”.
Merita Vuthaj, nga Ministria e Shëndetësisë (MSh), tha se kanë zbatuar sipas planit rekomandimet e marra. Ndonëse pranoi se ka vonesa në zbatim të rekomandimeve.
“MSh ka marrë me seriozitet zbatimin e rekomandimeve dhe në janar ka formuar një grup punues ka për qëllim që rekomandimet e dala nga avokati i popullit ti adresojë në formë të planit të veprimit. Me kërkesë të Avokatit të Popullit jemi përgjigj kërkesës së parë, që mandej të shkojmë radhazi sipas planit të veprimit. Kemi dal me raport në Janar- mars 2017, janë përfshirë zbatimi i rekomandimeve nga viti 2016 deri mars 2017, mirëpo pas kësaj periudhe nuk kam marr kërkesë tjetër që t’i kompletoj më tujë procesin e filluar. Problemi qëndron vet në MSh, sepse kërkesa shkon nga ministri dhe shkon tek sekretariati dhe unë si shërbyes civil i zbatoj urdhëratë nga lartë”.
Fatime Jasiqi, nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), tha se sa i përket rekomandimit të Avokatit të Popullit për përfshirjen e shëndetit riprodhues në kurrikulla kjo është arritur.
“Sa i përket edukimit seksual në shkolla, është aty të shëndeti riprodhues, kjo është implementuar sepse përfshihet në kurrikula. Trajnimet janë përmirësuar në vitin 2016, 23 mësimdhënës janë trajnuar më 2017 për edukimin seksual”.
Miranda Mullafazliu-Beka, nga komuna e Prishtinës, tha se rekomandimet për procesin e rekrutimi në drejtorinë e Arsimit të komunës së Prishtinës janë kryer me sukses dhe ka qenë proces i hapur dhe transparent.
“Ne si komunë i kemi shqyrtuar të gjitha rekomandimet që kanë pas të bëjnë me procesin e rekrutimit në drejtorinë e arsimit. besojmë se kemi bindjen se procesi i rekrutimit ka qenë në përputhje më ligjet në këto procedura, kemi bërë një argumentim me shkresë që ja kemi dërguar avokatit të popullit. Ka bërë këto rekrutime shumë transparente, janë të hapura dhe procesi i intervisitimit është i hapur dhe mund të marrin pjesë shoqëria civile dhe këshilli i prindërve”.
Duda Balje, kryetare e Komisionit, i drejtohet Avokatit të Popullit që kur është koha e rekurtimit të institucione të përfshihen barabartë si komuniteti serb ashtu dhe komunitet e tjera.
“Të lutna, kur është koha për rekrutim, kur kemi komunitet është përfaqësuesi i serbëve, jemi të diskriminuar si komunitet nuk janë vetëm serbët komunitet në Kosovë”.
Ajo tha se ka informata që serbët po punojnë edhe pa nostrifikim të diplomave.
“Keni refuzuar kandidatët pa nostrifikim, kemi informata se serbët punojnë brenda pa nostrifikim, mos me qenë arsyeja që nuk keni diplomë dhe nuk mund të aplikoni”.
Sami Kurteshi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kërkuar që të krijohet një komision për zbatimin e Avokatit të Popullit. Sipas tij, MAShT nuk ka zbatuar asnjëherë rekomandimet e Avokatit të Popullit.
“Kurrkush nuk merr përgjegjësi me shkarkuar ministrin për mos zbatim të rekomandimeve. Ndërsa MAShT ka pas me dhjetëra rekomandime që nuk i ka zbatuar kurrë”.
Luljeta Veselaj-Gutaj, anëtare e komisionit nga PDK, tha se nëse vazhdojnë debatet politike sipas saj, të filluara nga Kurteshi, do lëshojë mbledhjen. Sipas saj, kjo tryezë ka rëndësi të veçantë.
“Jemi në një takim të rëndësie të veçantë, që të gjejmë zgjidhje të përbashkët. Si anëtar të komisionit, kanë gatishmëri të secilit, kemi ardhur për rekomandimet dhe jo për debate politike. Dhe nëse është dikush në disfavor politik ti bëjë debatet jashtë kësaj tryeze. Nëse vazhdon ky debat politik unë lëshoj mbledhjen”.