Granit Xhaka është buzë largimit nga Arsenali, peng i pesë milionë eurove më shumë që klubi i tij i kërkon në ofertën e Hertha Berlinit për ta lejuar mesfushorin shqiptar të largohet në janar.
Mundësitë që Xhaka të luajë përsëri për Arsenalin janë shumë të vogla, duke e parë dëshirën e vetë futbollistit për t’u larguar pas zënkës me tifozët që i kushtoi me humbjen e shiritit të kapitenit muaj më parë.
Por, klubi nga Londra Veriore nuk dëshiron ta lëshojë përfaqësuesin e Zvicrës të largohet për më pak se 40 milionë euro.
Hertha Berlin i ka ofruar 35 milionë euro për Xhakën, pesë më pak seç kërkon Arsenali, një shumë jo e madhe që është pengesa e vetme për arritjen e marrëveshjes për kthimin e 28-vjeçarit në Bundesligë.
Por menaxheri i Xhakës, Jose Noguera, zbuloi se ish-ylli i Baselit dhe Borussia Monchengladbach ka arritur marrëveshje me Hertha Berlin dhe se tani i mbetet vetëm klubeve të pajtohen për transferimin e tij.
Prandaj tani u takon dy klubeve të arrijnë marrëveshje për shumën e transferimit të Xhakës, i cili sot mund ta luajë ndeshjen e fundit në fanellën e Arsenalit, në derbin e Londrës kundër Chelseat në Premierligë./GE