Vetëm deri në mars, fitimi i mikrofinancave arriti në 4.1 milionë euro

Prishtinë | 22 Maj 2022 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Nga 2.6 milionë euro sa ishte profiti neto i tyre në muajin shkurt të këtij viti, gjatë marsit atyre iu shtuan edhe 1.5 milionë euro të tjera fitim, duke e çuar fitimin e përgjithshëm në 4.1 milionë euro për vetëm tre muaj.

Bazuar në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “Sistemit financiar, Informata mujore për muajin mars 2022”, të hyrat e institucioneve mikrofinanciare në vend arritën në 13 milionë euro gjatë kësaj periudhe, përcjell Buletini Ekonomik.

Prej totalit të të hyrave, gjithsej 12 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi.

Në anën tjetër, shpenzimet në sektorin mikrofinanciar gjatë muajit mars arritën vlerën e 9 milionë eurove. Nga kjo shumë e shpenzimeve, vetëm 1.9 milionë prej tyre ishin për shpenzime të interesit, kurse 5.3 milionë euro shkuan për shpenzime të personelit dhe shpenzime administrative.

Raporti poashtu specifikon se kreditë e dhëna nga institucionet mikrofinanciare për qytetarët, në muajin mars ishin në vlerë të 248.7 eurove, prej të cilave 161.2 milionë ishin për ekonomitë familjare ndërsa 87.5 milionë tjera për korporatat jofinanciare.

Sipas të dhënave të raportit, norma e interesit në kredi në këto institucione në mars, u shpreh në një përqindje prej 18.9 për qind, nga 19.4 për qind sa ishte në shkurt./BuletiniEkonomik

Të ngjashme