Pas dy palë zgjedhjesh të fundit, sebep për ngërçet afatgjate në procesin e konstituimit të institucioneve të reja janë bërë disa norma kushtetuese dhe interpretimi që Gjykata Kushtetuese ua ka bërë atyre, shkruan sot Koha Ditore.
Ndryshimi i këtyre dispozitave shihet si e vetmja mundësi për t’i evituar bllokadat në të ardhmen.
Kuvendi dhe as Qeveria nuk janë konstituuar akoma, ndonëse zgjedhjet e parakohshme për to janë mbajtur më 11 qershor.
Koalicioni PAN është fitues relativ i tyre dhe, mbi bazën e një interpretimi kushtetues, vetëm atij subjekti që ka fituar më së shumti vota i takon e drejta për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Por, ky koalicion nuk ka mundur ta sigurojë shumicën në Kuvend, e për pasojë nuk ka vota as për ta votuar kryeparlamentarin e as Qeverinë.
Situatë gati e njëjtë ka qenë edhe pas zgjedhjeve të 2014-s, kur procesi i konstituimit të institucioneve të reja ka marrë gjysmë viti.