Sulmuesi i huazuar nga Interi, Mauro Icardi, e ka bërë të qartë se në mendjen e tij kishte qenë vetëm Paris Saint-Germaini, pasi e shënoi golin e tij të parë për kampionin në fuqi të Francës.
Mauro Icardi mungoi në tri ndeshjet e fundit të Paris Saint-Germainit për shkak të një lëndimi, mirëpo ai u kthye në kohë për ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve kundër Galatasarayt, ku e shënoi golin e vetëm në fitoren 1:0.
“Jam shumë i lumtur me mënyrën se si po luan skuadra. Jam shumë i lumtur që e kam shënuar golin që na i dha fitoren. Do të vazhdojmë të punojmë shumë për të bërë progres”, ka thënë sulmuesi argjentinas.
“Jam ende duke u rikuperuar. Fillimi im këtu ka qenë shumë i mirë. Fakti që këtu ka njerëz të cilët dinë ta flasin gjuhën spanjishte më ka ndihmuar shumë”.
“Jam shumë i lumtur. Kur luan me futbollistë të këtij niveli, puna e të gjithëve bëhet edhe më e lehtë. Me [Angel] Di Marian dhe [Pablo] Sarabian, të cilët janë shumë të shpejtë dhe shumë të mirë teknikisht, puna ime lehtësohet”.
Gjiganti francez e ka opsionin për ta blerë përfundimisht 25-vjeçarin në fund të këtij sezoni për një shumë që raportohet se arrin vlerën prej 75 milionë eurosh.