Gjatë vitit 2018, vendimmarrja në Kuvendin e Kosovës u sfidua seriozisht. Mungesa e kuorumit ishte një “hije” që ndoqi seancat plenare. Në Kuvend, mungoi një shumicë vendimmarrëse e partive të koalicionit qeverisës, por edhe një opozitë me numrat e mjaftueshëm që do të sfidonte pushtetin aktual.
Uniteti i pushtetit dhe opozitës, përjashtuar deputetët e Listës Serbe, u dëshmua me miratimin e ligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.
Një unitet gjysmak kishte në procedurën e ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Po ashtu, raste të unifikimit pushtet- opozitë u vërejtën edhe te miratimi i ligjeve që ndërlidhen me integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian apo me liberalizimin e vizave.
Në rastet tjera, Kuvendi kryesisht ishte i ndarë, që si pasojë solli ndërprerjen e seancave për shkak të mungesës së kuorumit. Një punë e pakryer e Kuvendit, ishte mosmiratimi në lexim të dytë i Projektligjit për buxhetin e vitit 2019.
Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, ka publikuar shifrat sipas të cilave, gjatë vitit 2018, Kuvendi ka mbajtur gjithsej 42 seanca, prej të cilave 23 ishin seanca plenare, 16 të jashtëzakonshme dhe 3 solemne.
Agnesa Haxhiu, hulumtuese dhe monitoruese e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se KDI i ka propozuar Kuvendit disa rekomandime në mënyrë që të përmirësohet performaca dhe efikasiteti në punë.
“Kuvendi duhet ta rikthejë praktikën e mbajtjes së seancave në ditën e enjte, eventualisht në të premten, ashtu siç parashihet me Rregulloren e Punës, në mënyrë që t’i jepet hapësirë komisioneve parlamentare që mbledhjet e tyre t’i mbajnë ditëve te tjera. Në këtë mënyrë do të zvogëlohej mundësia e dështimit, qoftë të seancave ose të mbledhjeve të komisioneve dhe të grumbullimit të çështjeve që duhet të shqyrtohen”, tha Haxhiu.