Gjykata Themelore në Pejë, të mërkurën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarës për legalizim të përmbajtjes së rreme, Shikrije Bajraktari.
Gjykatësi Shaqë Curri, për “Betimi për Drejtësi”, ka bërë të ditur se Bajraktari është dënuar me 8 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale brenda 1 viti.
Sipas aktgjykimit, e njëjta gjithashtu është detyruar t’i kthejë mjetet prej 1360 euro, të përfituara në mënyrë të kundërligjshme nga statusi i veteranes së rrejshme.
Gjithashtu, gjykatësi Curri bëri të ditur se për këtë rast ka shqiptuar edhe urdhrin për publikimin e aktgjykimit për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shpallja e aktgjykimit është bërë pasi e akuzuara, në shqyrtimin fillestar, e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.
Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar as nga prokurorja Lumturije Vuqetaj, e cila ka kërkuar kompensimin e dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës dhe urdhrin për publikimin e aktgjykimit.
Shikrije Bajraktari, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, akuzohet se më 22 shkurt të vitit 2018, në kohë të pa caktuar, në Departamentin për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, zyra në Pejë, pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, e vë në lajthim organin kompetent të lartcekur, ashtu që që në dokumentin publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë.
Sipas aktit akuzues, e akuzuara duke prezantuar dokumentet e falsifikuara dhe atë certifikatën e statusit të veteranit luftëtarë si dhe vërtetimin se kinse e njëjta është veterane luftëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), arrin të përfitoje pensionin duke marrë pagë prej 170 euro në muaj.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), më 8 shtator të këtij viti, ka prezantuar raportin analitik: “Drejtësia “amniston” veteranët e rrejshëm, dëmton buxhetin e Republikës së Kosovës: Analizë e aktakuzave, proceseve gjyqësore dhe aktgjykimeve në rastet e “veteranëve të rrejshëm”.
Sipas të gjeturave të këtij raporti, IKD kishte gjetur se sistemi i drejtësisë ka dështuar në mbrojtjen e buxhetit të Republikës së Kosovës në rastet e “veteranëve të rrejshëm”.
Ndërsa, si rrjedhojë IKD ka rekomanduar që me qëllim të mbrojtjes së buxhetit në trajtimin e këtyre rasteve, Prokuroria e Shtetit të bëjë propozime për shqiptimin e dënimeve plotësuese për kompensimin e dëmit të shkaktuar me përfitimet e kundërligjshme të “veteranëve mashtrues” nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe se gjykatat e Republikës së Kosovës, edhe në mungesë të një propozimi nga Prokurori i Shtetit, kanë kompetencë ligjore që sipas detyrës zyrtare të shqiptojnë dënime plotësuese.