Bartja e pajisjeve të Maternitetit në objektin e ri është paraqitur nga zyrtarët komunalë si hapje e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari i Komunës, Agim Veliu, para gati një muaji. Në profilin e tij në “Facebook”, Veliu kishte thënë se ka nisur funksionimi i Spitalit të Podujevës, shkruan sot “Koha Ditore”. Por, ai lajm nuk është publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Komunës, e as nuk u është dërguar mediave.
Vetëvendosje e ka quajtur këtë lajm si mashtrim të Veliut. Ndërkohë, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë i kanë thënë KD-së se kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Podujevës për të parë mundësinë e hapjes së këtij spitali. Por, në përgjigjet e Divizionit për komunikim me publikun të kësaj ministrie nuk thonë nëse ka nisur punën Spitali i Përgjithshëm i Podujevës.
“Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar një takim me kryetarin e Podujevës, Veliu, për të shqyrtuar së bashku mundësitë për funksionalizimin e spitalit. Është në planin e ministrisë që lëvizjet në këtë drejtim të intensifikohen pas rishikimit të buxhetit, përkatësisht mjetet të përshkruara në buxhet si ndërtimi i spitalit të destinohen për pajisje meqë objekti ekziston”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Shëndetësisë.