Në konferencën e sotme të Lëvizjes “Vetëvendosje”, deputeti Valon Ramadani tha se përfaqësuesit e ndërmarrjes “Stacioni i Autobusëve” nuk kanë përmbushur rekomandimet e auditorit me ç’rast po tentohet që kjo ndërmarrje të falimentojë, raporton Ekonomia Online.
“Ne kemi ftuar në komision bordin e ndërmarrjes së Stacionit të Autobusëve. Në këtë mbledhje, ndërmarrja ishte e përfaqësuar nga Sherif Sejdiu, ku pranoi të gjitha të gjeturat e auditorit. Përfaqësuesit e kësaj ndërmarrje kanë dështuar t’i përmbushin rekomandimet e auditorit. Ky bord ka shpenzuar shumë herë më shumë sesa ka pasur të hyra. Një e padrejtë tjetër është taksimi i qytetarëve të cilët nisen nga stacioni e që paguajnë prej 0.10 cent. Papërgjegjshmëria e tillë duhet të eliminohet dhe të vihen para drejtësisë”.
Asamblisti i Komunës së Prishtinës nga radhët e Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, tha se zhvatja në Stacionin e Autobusëve dhe Trafikut Urban është e qëllimshme, raporton EO.
“Me të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm për ndërmarrjen publike ‘Stacioni i Autobusëve’. Kjo gjendje vërteton kërkesat që kemi kërkuar që nga fillimi i vitit. Kjo ndërmarrje me qëllim po tentohet të falimentojë. Kjo gjendje është tentuar të fshihet për shkak të koalicioneve të fshehta të Shpendit për ndarjet e ndërmarrjeve publike me partitë e tjera në koalicion”.
“Mospërputhja e kuponave fiskalë të dorëzuar në arkën fiskale. Përveç performancës së dobët, kemi humbje mbi 44 mijë euro. Punëtorët e kësaj kompanie vjedhin shtëpinë e vet. E njëjta gjendje është edhe në trafikun urban, ku është gjendur një arkë fals dhe lëshon kupona, mirëpo nuk regjistrohen. Të gjitha këto të gjetura kërkojmë nga kryetari i komunës të marrë masat e duhura për të filluar menaxhim më të mirë të kësaj ndërmarrje”.