Lëvizja “Vetëvendosje” nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga “lufta” e saj për ta formuar Qeverinë, megjithëse sipas analistëve fati i tyre varet nga deputetët e LAA-së.
Së fundmi kandidati i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti, e ka bërë të qartë edhe një herë pozicionin e tij dhe të partisë.
Kurti ka thënë se populli ka votuar që PDK-ja të shkojë në opozitë, prandaj nuk do të heqin dorë nga Republika. Madje ai ia ka drejtuar edhe një mesazh Ramush Haradinajt.
“Nuk është mirë që dikush të përpiqet ta deformojë vullnetin e qytetarëve dhe ta shpëtojë PDK-në, përkatësisht udhëheqjen e PDK-së”, ka thënë Kurti. Synuesi i kreut të ekzekutivit ka thënë se koalicionet parazgjedhore u formuan në mënyrë që të maskohej rënia e të gjitha partive në Kosovë. “Qytetarët kanë guxuar. Ata kanë votuar që PDK-ja të shkojë në opozitë. Tash njerëzit kanë shpresë. Nuk është mirë që dikush të përpiqet ta deformojë vullnetin e qytetarëve dhe ta shpëtojë PDK-në, përkatësisht udhëheqjen e PDK-së”, ka shtuar ai, transmeton zeri.info.
Madje sipas Kurtit koalicioni PAN po synon që t’ia vjedhë LDK-së ose AKR-së ndonjë deputet dhe pastaj ta lusë Vuçiqin në Beograd për ta formuar Qeverinë në Kosovë.
“Kjo është rrugë e gabueshme me pasoja tejet të dëmshme. Nuk jepet Republika për poste. Maratona sportive nis me shumë e përfundon me pak. Maratona historike nis me pak e përfundon me shumë. Ne jemi bërë shumë, gjithnjë e më shumë. Ata kanë mbetur pak, gjithnjë e më pak”, ka thënë ai, transmeton zeri.info.
Megjithatë edhe sipas njohësve të çështjeve politike në vend lëvizja “Vetëvendosje”, respektivisht kandidati i tyre për kryeministër, Albin Kurti, duhet të presë deri në certifikimin e rezultateve e më pas edhe për të parë se çfarë do të bëjë Ramush Haradinaj në fillim, para se të mendojë për Qeverinë e tij.
“Vota e qytetarëve ishte për ndryshim dhe unë personalisht mendoj që legjitimja është më demokratike se ligjorja, sidomos në raste kur rezultatet janë të ngushta. Megjithatë procedurat ligjore dhe kushtetuese duhet të respektohen dhe të mandatohet koalicioni që ka dalë i pari në zgjedhje”, ka thënë Nezir Kraki, ligjërues i shkencave politike në universitetin “Paris Est”, transmeton zeri.info.
Më tutje ai ka thënë se nëse Haradinaj dështon, atëherë do të vijë edhe shansi i Kurtit.
“Nëse ai dështon ta konfirmojë një shumicë me 61 ulëse e më shumë, atëherë topi logjikisht duhet të kalojë në fushën e “Vetëvendosjes” dhe zoti Kurti të mandatohet për tentim-krijim të Qeverisë. Sot është herët të flitet se kush do të mbetet në opozitë, sepse të gjitha kartat janë mbi tavolinë”, ka thënë ai.