Vetëvendosje nis procesin e brendshëm zgjedhor

Prishtinë | 22 Kor 2017 | 11:38 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fillimin e zgjedhjeve të brendshme, si rezultat i të cilave do të përcaktohen kandidatët për kryetarë komunash dhe listat e kandidatëve për kuvendet komunale..

Sekretari në detyrë, Ismajl Kurteshi, tha se ky procesi zgjedhor do të jetë demokratik dhe në bazë të statutit të Vetëvendosjes, raporton Ekonomia Online.

“Procesi zgjedhor do të jetë i hapur dhe demokratik. Procesi do të udhëhiqet nga komisionet komunale zgjedhore, pra nga qendrat e Vetëvendosjes nëpër komuna, dhe do të udhëhiqet bazuar në statutin e Vetëvendosjes dhe rregulloren tonë mbi zgjedhjet”, tha Ismajl Kurteshi, i cili foli për rëndësinë e zgjedhjeve për këtë pari.

Ai tha se përgjatë këtyre zgjedhjeve, VV synon gjithëpërfshirje dhe rritje të mëtejshme.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm në Vetëvendosje, Nol Nushi, tha se VV hyn në këto zgjedhje lokale pas një fitore spektakolare në zgjedhjet e fundit parlamentare, me ç’rast kanë pasur dyfishim të votës. “Si dhe ka ndodhur edhe një ardhje shumë e madhe e anëtareve të rinj, ardhje qe po vazhdon ende me intensitet të lartë”, u shpreh Nushi.

“Ky proces i zgjedhjes së kandidatëve është tepër i veçantë dhe tepër më demokratik, sidomos nëse e krahasojmë më partitë e tjera në Kosovë”, theksoi Nushi, derisa paralajmëroi se që nga java e ardhshme qendrat e Vetëvendosjes  mund të caktojnë ditën kur do të mbajnë zgjedhjet e brendshme për t’i votuar kandidatët për kryetarë komune.

Zyrtarët e VV-së shpjeguan se tashmë komisionet komunale zgjedhore nëpër qendra kanë filluar të formohen. Komisionet i shpallin zgjedhjet e brendshme në komunat përkatëse. Nushi tha se sikurse e drejta e votimit, edhe e drejta e kandidimit është e garantuar për secilin aktivist, gjithnjë nëse kjo është në përputhje me statutin dhe duke u respektuar afatet dhe procedurat. Sipas tij, ky proces aplikohet vetëm nga VV.

“Tashmë është koha që përvojën e qeverisjes së mirë të kryeqytetit ta sjellim edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Në këto zgjedhje lokale, Lëvizja do të jetë e prezantuar me kandidatura tepër serioze dhe synojmë që të fitojmë në shumicën e komunave të Kosovës”, u shpreh Nushi.

Zgjedhjet komunale janë caktuar të mbahen më 22 tetor të këtij viti.

Të ngjashme