Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri në një konferencë për media ka thënë se janë i vetmi subjekt politik që deri tash kanë shpalosur programin për masat dhe zotimet për zgjedhje.
Ndërsa ka thënë se hapin e parë që do të ndërmerr Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të jetë themelimi i fondit sovran, raporton Ekonomia Online.
“Si pikë e parë ne jemi përqendruar të rritja e kapaciteteve investuese ku në njërën anë ta rrisim prodhimin vendor dhe në anën tjetër të krijojmë hapësira tregtare dhe masa e parë qe do ta ndërmarrim është themelimi i fondit fovran”, ka thënë ai.
Sipas Ymerit brenda fondit do të ketë edhe komponentë tjetër që do të kujdeset për qasje në kapital.
“Ky fond do ta nxis krijimin e ndërmarrjeve të reja, do ta ndihmojë shndërrimin e ndërmarrjeve të vogla në të mesme dhe prej atyre të mesme në të mëdha. Do të krijojmë një dinamikë ekonomike krejt ndryshe . Fondi Sovran do të jete në bashkërendim të plotë me Agjencinë për Zhvillim qe do themelojë Qeverisja e VV ndërsa Agjencia për Privatizim do të shuhet”, ka thënë ai.
Ymeri ka thënë se si pasojë e privatizimit në Kosovë industria që e ka pasur Kosova është rrënuar gati plotësisht. Me qeverisjen e VV do t’i konsumojmë prodhimet vendore. Me VV do të krijohet një treg i përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Kurse Salih Salihu ka folur për sektorin e bujqësisë duke thënë se do të ndërtojnë pika të grumbullit dhe kapaciteteve përpunuese.
“Prioritet do të ketë zhvillimi i pemëtarisë bletarisë, perimtarisë. Do të ndalet plotësisht shkatërrimi i tokave të bujqësisë dhe nuk do të lejohet që në toka pjellore të bëhen ndërtime pa leje”, ka thënë ai.
Sipas tij do të synohet edhe rritja e madhësisë së fermave dhe do të mbështesin prodhuesit sipas trendit dhe zhvillimit të tregut.