Vetëvrasja e të riut në Elbasan, familjarët përshkruajnë tmerrin

Prishtinë | 06 Nën 2018 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Vuante nga depresioni, i jep fund jetës 26- vjeçari.

Një i ri, banues në fshatin Marinëz të Belshit, i ka dhënë fund jetës duke varur veten.

Ngjarja ka ndodhur paraditen e së hënës, në një magazinë pranë banesës së familjes. Viktima quhet Edmond Tafani, i cili u gjet pa shenja jete nga të afërmit e tij.

Të alarmuar për zhdukjen e papritur të tij, prindërit e 26- vjeçarit ishin vënë në kërkim të djalit.

Ata mbetën të tronditur kur panë që Edmondi i kishte dhënë fund jetës duke kryer vetëvarje me litar në magazinën pranë shtëpisë.
Policia, pas njoftimit të marrë, shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nga këqyrja e trupit të të riut mësohet se nuk janë vërejtur shenja dhune.

Nisur nga kjo dhe sipas mjekut ligjor, përjashtohet pista e ndonjë ngjarjeje kriminale dhe mbetet në hetim ajo e vetëvrasjes, shkruan “Panorama”.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave që çuan 26-vjeçarin drejt aktit fatal.
Dy prindërit e Edmondit, gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, janë shprehur se, djali i tyre ishte i heshtur kohët e fundit, por kishin menduar se gjithçka ishte kalimtare.

Ata janë shprehur se paraditen e së hënës, i riu ishte larguar nga banesa pa lajmëruar se për ku ishte nisur dhe pasi nuk u përgjigjej në telefon, nisën ta kërkonin. Në momentin që e kanë konstatuar, gjithçka ishte e kotë pasi ai kishte ndërruar jetë.

Dyshohet se Edmond Tafani ka kryer vetëvrasje në kushte të rënda psikologjike dhe pavarësisht se nuk ka qenë i diagnostikuar, nisur dhe nga deklarimet e prindërve, dyshohet se ka qenë i prekur nga depresioni. 26-vjeçari ishte djali i vetëm i Petrit dhe Shqipe Osmanit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme