Zëvendësdrejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ali Gashi në një intervistë për Ekonomia Online ka folur për rritjen e numrit të vetëvrasje në burgjet në vend.
Gashi theksoi se rasti më i freskët është vetëvrasja e cila ka ndodhur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, rast për të cilin nga Komision i hetimor është konstatuar se personi në fjalë ka pasur probleme mendore.
Ai shprehet i bindur se sikurse në këtë rast edhe më herët zyrtarët korrektues kanë qenë në krye të detyrës.
“Vetëvrasje kohë pas kohe po kemi. Rastin më të freskët e kemi pasur e cila ka ndodhur në qendrën e paraburgimit në Prizren. Por ajo çka është thënë nga komisionet hetimore është ajo se personi edhe më parë ka pasur probleme mendore dhe ka pasur trajtime të mjaftueshme nga personeli shëndetësor në qendrën e paraburgimit në Prizren dhe vlen të ceket se ai ka qenë edhe qendrën e mjekësisë familjare. Zyrtarët korrektues kanë qenë në krye të detyrës”, tha Gashi.
Sipas tij, se gjendja në këtë institucion është e kënaqshme. Madje, ai tha se në burgjet e Kosovës nuk ka raste të veçanta që e dëmtojnë procesin dhe punën.
Ai ka treguar se 26 euro në ditë shpenzohen për një person të privuar nga liria ku përfshihen shpenzimet rreth ushqimit, higjienës, akomodimit, ngrohjes, aktiveve sportive etj.
“Në përgjithësi gjendja në Shërbimin korrektues është e kënaqshme dhe tërë stafi civil është i angazhuar dhe i përkushtuar që të përmisojë gjendjen e personave të privuar nga liria pavarësisht a janë persona të paraburgosur apo të dënuar. Si Shërbim Korrektues i Kosovës mundohemi të përmbushim të gjitha obligimet që kemi”.
“Në burgjet e Kosovës gjithçka është në rregull dhe nuk kemi raste të veçanta që e dëmtojnë procesin sa i përket shërbimit korrektues të Kosovës. Përafërsisht shpenzon 26 euro në ditë për një person të privuar nga liria ku përmes asaj shumë mundohemi t’i përmbushim të gjitha obligimet rreth ushqimit, higjienës, akomodimit, ngrohjes, aktiveve sportive”.