Dje, për të tretin vit me radhë, Këshilli i Ministrave të BE-së, zbehu “perspektivën evropiane” për Ballkanin. Për një epilog të tillë paralajmëroja më herët, për dy arsye: “lodhjes” së BE-së nga zgjerimi dhe planit për zëvendësimin e anëtarësimit të vendeve ballkanike, vetëm me qasjen në tregun e përbashkët evropian.
Duket se kjo po realizohet, pas vetos së djeshme bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, që e vazhdoi atë të djeshmen – të Greqisë ndaj Maqedonisë së Veriut dhe tash e 13 vite, të pesë shteteve anëtare kundër Kosovës.
Veto mbetet instrumenti kryesor bllokues në BE, heqjen e së cilës së voni e kërkoi me të drejtë edhe Ministri i Jashtëm gjerman, Mass. Ndoshta, vendosja konsensuale funksionoi me 6 shtetet anëtare fillestare, por sigurisht jo me 27 sish.
Paradoksalisht, veton, po e përdorin shtetet e reja anëtare që ishin pranuar për arsye gjeopolitike, e tash kërcënojnë lënjen e Ballkanit, në një vakum gjeopolitik. Këtë nuk do e lejojnë SHBA-të, që do të vazhdojnë kompletimin e krahut jugor (ballkanik) të NATO-s.
BE, ndërkaq do e shtyjë përpara alternativën e zgjerimit: “Zonën e Lirë Tregtare BE – Ballkan”. Pra, me BE-në si bërthamë e integrimit të plotë ekonomik dhe politik të 27 anëtarëve, e rrethuar nga dy rrathët koncentrik të 9 shteteve jo-anëtare: rrethin e parë nordiko-alpik (Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn) dhe të dytin ballkanik, (me gjashtë shtetet e saj).
Me të vetmin dallim: që tri shtetet e para, vet nuk duan të anëtarësohen në BE. Ndërkaq, gjashtë shtetet e dyta duan, por nuk po pranohen nga BE.
“Perspektiva Evropiane” hyri në dekadën e tretë “premtuese”.